Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se çdo fillim viti, veçanërisht në muajt mars, prill dhe maj, Kosova kujton ngjarje të dhimbshme dhe krenare që lidhen me vitet e luftës.
Këto vite, Thaçi i ka quajtur vite vendimtare, ku fati i Kosovës po zgjidhej përfundimisht, duke realizuar ëndrrën shekullore të shumë brezave – çlirimin nga sundimi i administratës, policisë dhe ushtrisë serbe.
“Edhe në këtë 19 vjetor të çlirimit dhe 10 vjetor të Pavarësisë së Kosovës u kujtuan masakra e Likoshanit dhe Çirezit, Epopeja e UÇK-së në Prekaz, Epopeja e Dukagjinit, masakra në Krushë, në Celinë, në Izbicë e në Rezallë”.
“Do të shënohen e kujtohen me respekt e dhembje ngjarje të ngjashme në muajt në vijim, për të na rikujtuar faktin që liria dhe Pavarësia e Kosovës ka pasur një çmim të lartë”.
“Kujtojmë luftën e lavdishme të djemve dhe vajzave që iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare fuqishëm pas shpalljes së mobilizimit të përgjithshëm nga Shtabi i UÇK-së”.
I pari i vendit i ka thënë këto fjalë në manifestimin e “Ditët e Shqipes” që mbahet për të kujtuar Betejën e Koshares, njofton Klan Kosova.
“Në Koshare, UÇK-ja dëshmoi faktin që kishte hyrë në një fazë më të lartë të rezistencës. Me kapacitetet njerëzore dhe teknike ishte e aftë për t’u përballë me forcat serbe në luftë frontale”.
“Si rezultat i përgatitjes taktike dhe strategjike, me aktet e vendosmërisë dhe trimërisë së pashembullt u arrit një fitore historike – shembja e gurit të piramidës së kufirit që kishte ndarë një shekull tokat shqiptare”.
Thaçi ka shtuar se me respektin më të lartë shtetëror dhe kombëtar, sot nderohet sakrifica e ushtarëve dhe oficerëve të rënë në luftë për liri.
“Kujtojmë heronjtë Sali Çeku, Agim Ramadani, Xhemajl Fetahu. Shprehim nderimet më të larta për invalidët dhe veteranët e betejës së Koshares dhe të Pashtrikut”.
Kreu i shtetit theksoi se Kosova sivjet po shënon denjësisht përvjetorin e dhjetë të Pavarësisë dhe 19 vjetorin e çlirimit.
“Kosova, përkundër sfidave, është tregim i suksesshëm i shtetndërtimit. Në çdo kohë u jemi mirënjohës shteteve mike që na përkrahën edhe në fazat e konsolidimit të brendshëm edhe në afirmimin ndërkombëtar. Kosova vazhdon me këmbëngulje synimin në integrimet euroatlantike”.
Por presidenti Thaçi, nga Kosharja, ka thënë se Kosova do t’i përgjigjet Serbisë dhe çdo kërcënimi nga ky shtet fqinj, ashtu si 19 vjet më parë.
“Edhe sot, Kosova dhe rajoni ballafaqohen me sfida derisa Kosova ndonjëherë edhe më kërcënime të drejtpërdrejta nga Beogradi”.
“Përgjigja e shtetit të Kosovës është e qartë, çdo kërcënimi do t’i përgjigjemi, si i jemi përgjgjur më herët, 19 vjet më parë”.