Nisma e opozitës që para datës 7 shtator, të zhvillohet një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit në lidhje me dialogun që Kosova po zhvillon me Serbinë, po mbështetet nga një pjesë e shoqërisë civile, e cila përcjell nga afër punën e institucioneve
Përfaqësuesit e shoqërisë civile i bëjnë thirrje Kuvendit të Kosovës që të trajtojë çështjen e negociatave me Serbinë dhe sidomos paralajmërimet për korrigjimin e kufirit. Rrjedhimisht, Kuvendit i kërkohet të ketë një rol më aktiv në procesin final të negociatave me Serbinë që pritet të zhvillohet nëpër raunde të caktuara në Bruksel, me lehtësimin e Bashkimit Evropian. Sipas tyre, Kuvendi duhet të hartojë platformën për dialog dhe të autorizojë ekipin negociator, duke e mbajtur atë përgjegjës për procesin.
Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë, se ky institut e mbështetë nismën e ndërmarrë nga opozita për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për dialogun Kosovë-Serbi. Ai tha se si KDI fton të gjitha partitë politike parlamentare të mobilizohen për të mbledhë nënshkrimet e nevojshme për të thirrur sa më shpejt këtë seancë. “Së fundi kemi bërë një thirrje drejtuar Kuvendit që të ketë një seancë të jashtëzakonshme, për shkak se pamë që një gjë e tillë nuk është në agjendën e Kuvendit dhe nuk po flitet për një çështje të tillë që partitë parlamentare të nxjerrin një rezolutë, e cila do të shërbente si platformë për dialog, dhe tani kur presidenti Thaçi i cili në kokë në vete është duke zhvilluar gjithë këtë proces të dialogut dhe flet për shkëmbim të territoreve. Tash më shumë se asnjëherë më parë, Kuvendi duhet ta thërrasë këtë seancë të jashtëzakonshme dhe të ndalojë këtë praktikë të presidentit, e cila në thelb është kundërkushtetuese që të bëjë dialog me një shtet tjetër për kufij”, tha Krasniqi. Edhe drejtoresha e organizatës ‘Fol’, Mexhide Demolli-Nimani, tha për Radion Evropa e Lirë, se ideja e fundit e presidenti Thaçi, por edhe i gjithë procesi i bisedimeve politike mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë më transparent si për qytetarët, po ashtu edhe për Kuvendin dhe mekanizmat e tjerë shtetërorë. Ajo thotë se tashmë për fazën e fundit të dialogut, Kosova do të duhej ta kishte platformën e vet.
“Mendoj se edhe shoqëria civile mund të bëjë më shumë në këtë drejtim, sepse në njëfarë mënyre ky është edhe roli i saj që të informojë qytetarët rreth asaj që po ndodhë në gjithë këtë proces. Deputetët, çka është pak për t’u habitur, ata nuk po i ndërpresin pushimet e tyre dhe të thërrasin seancë dhe të kërkojnë llogari në Kuvend, aty ku edhe dihet të kërkohet llogaria nga presidenti për idenë e tij për korrigjimin e kufirit. Prandaj, unë mendoj se deputetët pa dallim partie, do të duhej të ishin më aktivë në këtë proces dhe të kërkohet llogari”, tha Demolli-Nimani. Subjekti më i madh opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës ka ndërmarrë tashmë nismën për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme para datës 7 shtator, kur pritet të mbahet takimi i radhës ndërmjet presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel. Kjo nismë, është thënë se e ka edhe mbështetjen nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga Partia Socialdemokrate.