Delegacion i Kosovës i kryesuar nga president i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është nisur sot për në Nju Jork, ku do të marrë pjesë në seancën e radhës të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Siç njoftojnë nga Departamenti i Informacionit dhe Komunikimit të Presidencës së Kosovës me Publikun, gjatë vizitës, pritet që Thaçi të ketë një takim te shkurtër me presidentin amerikan Donald Tramp.
Gjatë vizitës pesëditore në Nju-Jork, Thaçi do të zhvillojë takime të shumta bilaterale me krerë të shteteve dhe udhëheqës të organizatave të ndryshme ndërkombëtare. Gjithashtu ai do të marrë pjesë edhe në takimin e krerëve të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, me nikoqire Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politkë të Sigurisë, Federika Mogerinin. Në delegacionin e Kosovës është edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli.