Thaçi: Ndjehemi krenarë me rolin që kemi luajtur në shpëtimin e hebrenjve

0

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka kujtuar Holokaustin që u mori jetën plot 6 milion civilëve për shkak të përkatësisë së tyre etnike, shkruan Gazeta Metro, transmeton koha.mk.

Thaçi ka thënë sot se botës i janë dashur dekada të tëra që të përballet me peshën e krimeve të Holokaustit.

Tutje, presidenti ka shtuar se edhe shqiptarët janë krenarë, që u kanë ndihmuar hebrenjëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

‘Si shqiptarë, ndjehemi krenarë me rolin që kemi luajtur në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore’, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Postimi i plotë:

Sot kujtojmë një prej tmerreve më të mëdha në historinë e njerëzimit, Holokaustin, që mori jetët e miliona civilëve vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike.

I kujtojmë dhimbjet që i mësuam nga dëshmitarët, duke u munduar të nxjerrim mësime rreth shkaktarëve të kësaj mizorie, për të mos lejuar që të përsëritet më për asnjë popull.

Botës i janë dashur dekada të tëra që të përballet me peshën e krimeve të Holokaustit dhe me përgjegjësinë e atyre që nuk e ndaluan një tragjedi të tillë.

Prandaj angazhohemi për barazi, sundim të ligjit, liri dhe të drejta të barabarta për të gjithë. Si shqiptarë, ndjehemi krenarë me rolin që kemi luajtur në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Comments are closed.