Presidenti kosovar Hashim Thaçi, sot publikoi se mbrëmë në paris është takuar me presidentin amerikan Donald Tramp dhe se ai ka shprehur mbështetje të plotë për arritjen e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Mediat kosovare vërejnë se në publikimin e Thaçit në Tuiter me asnjë fjalë nuk përmendet angazhimi i tij për “korrigjim të kufirit” me Serbinë, për çka pohonte se e ka mbështetjen e Uashingtonit.
“Mbrëmë kisha një takim shumë të mirë me presidentin amerikan, Donald Tramp. Ai shprehu 100% mbështetje për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Jam mirënjohës për mbështetjen e tij dhe të SHBA-së”, ka shkruar Thaçi.
Presidenti kosovar, së bashku me liderë të tjerë të vendeve botërore, në Paris po merr pjesë në ceremoninë me rastin e 100-vjetorit të marrëveshjes për armëpushim midis forcave aleate dhe Gjermanisë,me të cilin përfundoi Lufta e Parë Botërore.