Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka përsëritur se, që qytetarët kosovarë të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së duhet të arrihet marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Thaçi ka nënvizuar se, një kërkesë e tillë i është përcjellë edhe nga komisionerët e BE-së në takimet e fundit.
“Eurokomisionerët Han dhe Avramopoulos ritheksuan edhe sot se Brukseli po pret vetëm edhe ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit për të hequr regjimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Tani është në duart e deputetëve të Kuvendit që të vendosin se kur qytetarët e Kosovës do të lëvizin të lirë në zonën Shengen”, ka thënë Thaçi në Fejsbuk.
Një ditë më herët kryeministri Isa Mustafa deklaroi me optimizëm se së shpejti do të realizohen çështjet për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, ndërsa me këtë edhe marrja e liberalizimi të vizave, si dhe formimi Bashkësisë së komunave serbe.
Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit, ai paralajmëroi se do të jetë në rend dite të parlamentit në fillim të muajit të ardhshëm.