Prishtinë, 4 prill – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se gjatë qëndrimit të fundit të tij në Bruksel i është thënë se Kosova tashmë i ka përmbushur të gjitha 95 kriteret, që i ishin vendosur si kusht për marrjen e liberalizimit të vizave..
Në takimin e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, Thaçi ka theksuar se Kosova në 10 vitet e fundit është përballur me shumë sfida, por që dukshëm është duke u luftuar korrupsioni dhe krimi i organizuar.
Presidenti Thaçi ka nënvizuar se Kosova ka miratuar kushtetutën më moderne, e cila parandalon dhe sanksionon aktet ndaj korrupsionit.
Thaçi ka treguar se me kalimin e kohës është parë e nevojshme ndryshimi dhe plotësimi i disa ligjeve, ndërkaq në luftën kundër korrupsionit është shënuar progres, por që duhet ende punë dhe profesionalizëm.
Mes ligjeve të deritanishme të miratuara në luftën kundër korrupsionit ai e ka theksuar Kodin Zgjedhor, ligjin për procedurë penale, ligjin për gjykatat, për Këshillin e Prokurorëve, për Policinë, për Agjencinë për Parandalim të Korrupsionit, Ligjit për Parandalim të Konfliktit të Interesave dhe ligje të tjera.