Thaçi kërkon respektim të vendimit të Kushtetueses e formim të shpejtë të qeverisë së re

21

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar krerët e institucioneve dhe partive politike që të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shpalljen kushtetues të dekretit të tij për mandatimin e Avdullah Hotit të LDK-së për kryeministër. Ai ka thënë se vendi ka nevojë për formim sa më të shpejtë të qeverisë së re.

“Si president i vendit e mirëpres vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i hap rrugë formimit të qeverisë së re të Republikës së Kosovës. Kam qenë i kujdesshëm në çdo hap që kam ndërmarrë që të jem në përputhje me Kushtetutën. U konfirmua edhe mbrëmë me vendim unanim të gjyqtarëve të Kushtetueses. Më e rëndësishmja është se ajo konfirmoi se Kuvendi është institucioni më i lartë politik në vend”, ka thënë ai në një konferencë të premten.

“Duhet sa më parë duhet të formohet qeveria e re. Rrethanat kërkojnë qeveri efektive e efikase. U bëj thirrje të gjitha institucioneve e partive të zbatojnë të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, ka vazhduar ai.

Thaçi tutje i ka ftuar liderët partiakë që të punojnë së bashku, për siç thotë ai, të ketë një transicion të rregullt demokratik.

Ai tutje ka bërë thirrje që të ruhet rendi kushtetues në vend.

“I ftoj liderët institucionalë dhe partiak që të punojnë së bashku që të kemi transicion të rregullt demokratik. Edhe mediat dhe shoqërinë civile i ftoj t’i kontribuojnë këtij transicioni. Duhet ta ruajmë rendin kushtetues. Të përqendrohemi në atë që është kryesorja te qytetarët e Kosovës dhe të sjellim zhvillim dhe prosperitet në Kosovë, të përqendrohemi në zhvillimin e ekonomisë dhe tejkalimin e pandemisë”, ka thënë a.

Ai ka shtuar se duhet të vazhdohet me reformat në drejtësi, ekonomi dhe institucionet tjera qeverisëse. Thaçi tutje i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të marrin vendimin e merituar për liberalizimin e vizave në Kosovë.

“Ju bëj thirrje të gjithëve që të ruajmë dhe forcojmë marrëdhënien speciale me SHBA-në”, ka thënë ai.

Comments are closed.