Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur takimin për reformën zgjedhore ku ndër të tjera është deklaruar për sistem me lista të hapura ndërsa ka propozuar uljen e pragut zgjedhor, njofton RTK. Kryeministri, Isa Mustafa kërkoi që reforma të kryhet shpejt, në mënyrë që të jetë brenda afateve ligjore para zgjedhjeve të ardhshme, ndërkohë që opozita e ka bojkotuar takimin. Mënyra e zgjedhjes së presidentit drejtpërdrejt nga qytetarët apo nga Kuvendi, zonat zgjedhore një apo më shumë zona, pragu zgjedhor dhe listat zgjedhore të hapura apo të mbyllura, ishin disa prej temave që presidenti Hashim Thaçi i hapi në takimin konsultativ për reformën zgjedhore. Të pranishëm ishin përfaqësues të partive të koalicionit qeverisës dhe të partive joparlamentare dhe atyre minoritare, por jo edhe partitë opozitare. Presidenti i ngriti këto çështje për të cilat është diskutuar që kur ka nisur reforma zgjedhore para katër vjetësh, e për të cilat tha se duhet të diskutohen në të ardhmen dhe se ky takim konsultativ nuk ndikon në rrethanat aktuale politike apo prejudikuese të organizimit të zgjedhjeve të përgjithshme dhe lokale. Thaçi përmendi edhe një propozim të ri. “Është edhe mundësia që të kemi edhe zvogëlimin e numrit të deputetëve nga 120 deputetë në 100 apo edhe më pak, por edhe këtu kërkohet vullneti i partive politike”, tha Thaçi. Përveç tjerash propozoi që me ndryshimet kushtetuese të përfshihet edhe përfaqësimi në Kuvend i komunitetit malazez dhe kroat. Enver Hoxhaj në emër të PDK-së, tha se kjo parti do të dalë me propozime konkrete për reformën zgjedhore, ndërsa kryeministri Isa Mustafa si kryetar i LDK-së, tha se kjo reformë duhet të bëhet sa më shpejtë. “Jam për atë që ne ta fillojmë këtë proces, që t’i zëmë të gjitha afatet, sepse duhet që procesi të përfundojë gjashtë muaj para zgjedhjeve dhe ky gjashtëmuajsh nuk është larg, por është afër, prandaj duhet ta fillojmë procesin menjëherë për arsye të zgjedhjeve lokale, por që dy herë mos ta bëjmë, duhet ta bëjmë edhe për zgjedhje lokale edhe për zgjedhje qendrore”, tha Mustafa. Nenad Rashiq në emër të komunitetit serb, e vlerësoi të nevojshëm këtë takim për reformën zgjedhore, ndërsa kërkoi që përfaqësimi i serbëve në institucione të jetë adekuat, sidomos me rastin e ndarjes së zonave zgjedhore, ngase siç tha ai, duhet të ketë zona zgjedhore, por duhet të shikohet si të ndahen ato, e mos të ndahen për përfitime politike të ndonjërës palë. Ndërsa kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, shprehu nevojën e madhe për këtë reformë zgjedhore, duke kërkuar sidomos thjeshtëzim të votimit. “Çështjet të cilat janë ngritur nga presidenti sot më tepër kanë të bëjnë me çështje politike, por ne nga aspekti teknik, gjithsesi do ta japim kontributin edhe në këto pyetje”, tha Daka. Edhe përfaqësuesit e OSBE-së dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare dhe shoqërisë civile të pranishëm në këtë takim u shprehën të gatshëm që të japin kontributin në reformën zgjedhore. Presidenti Thaçi e mbylli takimin duke thënë se roli i tij është që vetëm ta inicojë këtë proces, por vendimmarrja u mbetet partive politike dhe se qëllimi i kësaj reforme është thjeshtësimi i procesit zgjedhor, menaxhimi më i lehtë i votimit, numërimi më i thjeshtë i votave, rritja e transparencës dhe përfaqësimi i duhur i qytetarëve.