Prishtinë, 3 korrik – Presidenti kosovar Hashim Thaçi paralajmëroi se këto ditë do të takohet me liderët partiak, me qëllim që të formohet ekip për bisedimet me Serbinë, por iniciativa si duket nuk do të ketë sukses, sepse vetëm ish-partia e tij politike, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e kryeministrit Ramush Haradinaj deri më tani shprehën gatishmëri që t’i bashkëngjiten, lajmëron korrespodenti i MIA-s nga Prishtina.
Lëvizja opozitare Vetëvendosje (VV) e Albin Kurtit tha se nuk do të takohet me Thaçin, ndërsa edhe Iniciativa për Kosovën (NISMA) vlerëson se presidenti i shtetit është i papranueshëm si kryenegociator.
Partitë e tjera parlamentare opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Socialdemokrate (PSD) ende nuk kumtuan se a do të takohen me Thaçin, por më herët, në disa raste, u shprehën kundër që ai t’i udhëheqë bisedimet me Beogradin.
Vëzhguesit e procesit të dialogut ndërmjet dy partive nga sektori qytetar vlerësojnë se partitë politike duhet pozitivisht t’i përgjigjen thirrjes së Thaçit, edhe pse nuk presin se është e mundur arritja e konsensusit, për shkak të dallimeve të mëdha ndërmjet partive, shkruan sot “Zëri”.