Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka rikujtuar edhe një herë rrugëtimin e krijimit të ushtrisë së shtetit të Kosovës.
Më anë të një postimi në Facebook ai e vuri në pah edhe aftësinë e kësaj force në aksionet e kërkim-shpëtimit si në vend ashtu edhe jashtë tij.
Ky është postimi i tij i plotë:
“Më 14 dhjetor të vitit të kaluar e përmbyllëm një proces të filluar më 2014, me të cilin i vumë themelet e Ushtrisë së Kosovës. Me ndryshimet në Ligjin për FSK-në i dhamë Forcës së Sigurisë së Kosovës mandatin dhe kompetencat që ajo dhe tërë Kosova i meritojnë. Tri ligjet që i hapën rrugë transformimit të FSK-së ishin ligjet që kanë marrë më së shumti vota ndonjëherë, duke dëshmuar kështu vendosmërinë e tërë spektrit politik dhe vullnetin e tërë Kosovës për ta pasur ushtrinë tonë”.
“Forca e Sigurisë së Kosovës si forcë profesionale me standarde të NATO-s, si forcë shumetnike që u shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës, në tërë territorin e shtetit tonë, është e gatshme të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin përtej rajonit tonë. Forca e Sigurisë së Kosovës ka dëshmuar aftësitë e veta dhe përgatitjen e lartë në misionet e kërkim-shpëtimit, si në Kosovë, ashtu edhe jashtë vendit. Ajo tash po i shton kapacitetet për detyra të reja, për t’i mbrojtur qytetarët e Kosovës nga kërcënimet e jashtme, por edhe për t’i ndihmuar aleatët tanë në vendosjen dhe ruajtjen e paqes kudo që shfaqet nevoja”.