Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka falënderuar presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan për rolin e Turqisë në përkrahjen e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe njohjen nga vendet e tjera. Presidenti i Kosovës, thuhet në njoftimin e kabinetit të tij, bashkë me një delegacion shtetëror u takua mbrëmë me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në kuadër të takimeve në seancën e radhës të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në New York të SHBA-ve. I shoqëruar nga Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, presidenti Thaçi i shprehu falënderimin presidentit Erdogan për mbështetjen e gjithëmbarshme të Turqisë dhënë Kosovës. Ai tha se Kosova i është mirënjohëse Turqisë për rolin e saj në përkrahjen e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe njohjen nga vendet e tjera. Kreu i shtetit të Kosovës ftoi për rritjen e bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në ekonomi. Presidenti Thaçi, thuhet më tej, e ftoi presidentin Erdogan që ta vizitojë Kosovën në të ardhmen e afërt në funksion të thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror.