Presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Aleksandar Vucic, u janë përgjigjur pozitivisht ftesës së Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federica Mogherini për një takim jozyrtar nesër në mëngjes. Mogherini, e cili do t’i presë në takimin, njoftoi shkëmbimin e pikëpamjeve mbi vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, si dhe zhvillimet më të gjera në Ballkanin Perëndimor, shkruan gazetametro.net.
Takimi i fundit i dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, qoftë në nivelin politik apo teknik, u zhvillua në fillim të shkurtit, dhe më nuk vazhdoi, shkaku se fillimisht në Serbi e më pas edhe në Kosovë, pati zgjedhje. Dy takime në nivel të lartë politik, me pjesëmarrjen e presidentëve dhe kryeministrave të Serbisë dhe Kosovës u zhvilluan në fillim të vitit, për të ulur tensionet të shkaktuara nga treni serb që shkonte nga Beogradi për në Mitrovicë, dhe rrënimi i murit të ndërtuar mbi urën që ndanë jugun me veriun e qytetit të Mitrovicës. E më pas Kosova suspendoi dialogun, edhe shkaku i ndalimit në Francë të Ramush Haradinajt.
Mogherini njoftoi se tema e takimit të nesërm do të jetë vazhdimi i dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri tani. E pyetur nga gazetarët nëse Kosova dhe Serbia kanë shansin për përparim në rrugën evropiane, pa njohjen e ndërsjellë, Mogherini u përgjigj se qëllimi i dialogut është për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. Në anën tjetër kryeministri në detyrë Isa Mustafa, ka kundërshtuar që dialogu të udhëhiqet nga presidenti Thaçi, duke kërkuar që atë ta drejtojë qeveria e ardhshme, që do të formohet nga zgjedhjet e 11 qershorit.