Prishtinë, 26 dhjetor – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deputetët e rinj të Kosovës, i ka uruar për konstituimin e Kuvendi të ri dhe ju ka dëshiruar punë të mbarë në përmbushjen e detyrës së tyre, transmeton gazeta KOHA.
Përmes publikimit në faqen e tij në Fejsbuk, presidenti Thaçi, kërkoi sa më shpejtë të formohen institucionet e Kosovës dhe kështu të lihen anash interesat e ngushta politike.
“Republika e Kosovës ka sfida të shumta përpara, që kërkojnë nivel të lartë të përgjegjësisë për t’i tejkaluar, prandaj të gjithë të zgjedhurit e popullit duhet t’i lënë anash interesat politike dhe të punojnë për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të Republikës së Kosovës”, shkruan Thaçi në Fejsbuk.
Megjithatë, ai nuk tregoi kur do t’i fillojë bisedat me Lëvizjen Vetëvendosje, partia e cila i fitoi zgjedhjet e 6 tetorit, për t’ja dhënë mandatin e formimin të Qeverisë së re, kryetar të saj, Albin Kurtit.
Pas marrjes së mandatit, Albin Kurti, ka afat prej 15 ditësh t’i propozojë Kuvendit, përbërjen e re të Qeverisë. Nëse ai nuk ka sukses të sigurojë shumicën e nevojshme parlamentare, presidenti, në pajtim me Kushtetutën e Kosovës, do t’ia ofroj mandatin kryetarit të partisë së dytë më të votuar, në këtë rast Lidhjes Demokratike të Kosovës, respektivisht nëse edhe ai dështon ta formojë Qeverinë, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare.(koha.mk)