Presidenti Hashim Thaçi dhe kreu i PDK-së, Kadri Veseli janë duke kërkuar rrugë ligjore e kushtetuese, si dhe partner të mundshëm që vendi të mos shkoj në zgjedhje të reja. Megjithatë, ende nuk ka ndonjë qëndrim zyrtarë apo ftesë zyrtare nga Presidenca për partitë lidhur me konsultimet për qeverisjen në pjesën e mbetur të mandatit.
Rrugë ligjore se si të vazhdoj punën është duke kërkuar edhe kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, i cili të premten ka mbledhur kabinetin për të diskutuar lidhur me ligjshmërinë e proceduarve të takimeve dhe vendimmarrjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës pas dorëheqjes së kryeministrit. Zëvendëskryeministri në detyrë, Enver Hoxhaj nga radhët e PDK-së ka theksuar se situata e krijuar pas dorëheqjes së kryeministrit ka një paqartësi ligjore dhe të procedurave të veprimit. Ai ka kërkuar nga kryeministri që së bashku me partnerët qeverisës dhe me liderët tjerë institucionalë të arrijnë një marrëveshje politike, që do të sqaronte procedurat e punës së kabinetit qeveritar në vijim.
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka vlerësuar se ngritja e çështjes së kushtetutshmërisë dhe legalitetit të punës së Qeverisë pas dorëheqjes së tij, e detyron atë që të kërkojë qartësi nga organi kompetent, që është Gjykata Kushtetuese, për opinion kushtetues dhe ligjor të mënyrës dhe formës së funksionimit të Qeverisë pas dorëheqjes së kryeministrit.