Prishtinë, 14 shtator – Kryeministri i Republikës së Kosovës në dorëheqje dhe lider i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se gjatë mandatit të tij si kryeministër, kundërshtarë më të mëdhenj gjatë takimeve me përfaqësuesit e huaj i ka pasur presidentin e shtetit, Hashim Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, njoftoi korrespodenti i MIA-s nga Prishtina.
Në intervistën e mbrëmshme për televizionin T7, Haradinaj tha se mosmarrëveshjet me krerët e dy institucioneve tjera më të larta shtetërore, njëheri lider i paradokohshëm (Thaçi) dhe lider aktual (Veseli) të Partisë Demokratike të Kosovës, posaçërisht kanë ardhur në shprehje kur me palë të treta u bë fjalë për taksën prej 100 për qind, të cilën Qeveria e tij në nëntor të vitit të kaluar e ka vendosur ndaj importit të mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
“Nuk kam pasur probleme me të huajt, por me Thaçin dhe Veselin. Jo vetëm se tërhiqeshin, por tentonin të më thyejnë edhe mua, të më pengojnë që ta mbroj interesin e Kosovës. Ua tregova vendin të gjithëve. Thaçi dhe Veseli nuk e kanë përfaqësuar mirë PDK-në. U tregova ku e kanë vendin”, deklaroi Haradinaj.
Sipas liderit të AAK-së, posaçërisht Veseli është treguar i “paqëndrueshëm” dhe ka demonstruar “mungesë të stabilitetit, posaçërisht me rastin për taksën”, ndaj importit nga Serbia.
Duke e komentuar fushatën parazgjedhore të partnerit të deritanishëm të koalicionit, PDK, porosia e të cilit është se qeveria e ardhshme, e udhëhequr nga Veseli, do të përkushtohet në luftën kundër korrupsionit, Haradinaj tha se “është paradoksale që partia që kohë të gjatë është në pushtet të pretendojë një gjë të tillë”.
“Ka një dilemë të caktuar për atë sa është në rregull një subjekt politik, i cili çdoherë ka qenë në pushtet, dhe për të cilin supozohet se e ka shkaktuar shkallën e lartë të korrupsionit, tani të paraqitet me qëndrime të tilla”, deklaroi Haradinaj.
Pasi mori ftesë të paraqitet në Hagë, në cilësi të të akuzuarit, para Gjykatës speciale për “krime të luftës” në Kosovë në luftën në periudhën 1998-99, Haradinaj më 19 korrik të këtij viti dha dorëheqje nga funksioni i kryeministrit, pas çka më 22 gusht Kuvendi është shpërndarë, ndërsa presidenti i shtetit, Thaçi ka nënshkruar dekret për mbajtjen e zgjedhjeve më 6 tetor.