Prishtinë, 6 prill – Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi sot ka deponuar kallëzim penal ndaj kryetarit të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri,për shkak të deklaratës së tij të mëparshme se është i mundur “konflikt për vëllavrasje”, përderisa dikush formon qeveri pa partinë e kryeministrit në dorëheqje Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosja (VV).
Thaçi deklaratën e Bahtirit e kualifikon si “kanosje të dhunës me tentim të ndryshojë rendin kushtetues të Kosovës, dhunë ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës dhe nxitje të përçarjes dhe padurimit”.
“Me kanosje me dhunë nga ky përfaqësues i lartë i Vetëvendosjes, i cili është edhe kryetar komune, Bahtiri u mundua ta ndërrojë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, të përmbysë institucionet më të larta të Republikës së Kosovës në kryerjen e detyrave zyrtare”, thuhet në deponimin e Thaçit.
Përveç kësaj, sipas presidentit kosovar, me deklarata të tilla janë rrezikuar siguria e tij personale, si dhe siguria e familjes së tij.
“Duke e pasur parasysh natyrën e veprës, duke u nisur nga fakti se unë dhe familja ime ndjehemi të rrezikuar nga deklarata e Bahtirit, kërkoj nga institucionet t’i ndërmarrin veprimet adekuate, sipas ligjeve të cilat janë në fuqi”, thuhet në kallëzimin penal të Thaçit kundër kryetarit të komunës së Mitrovicës.
Duke e komentuar nismën e presidentit të shtetit për formim të Qeverisë së re të Kosovës, prejse më 23 mars i ishte votuar mosbesim kabinetit të Kurtit, Bahtiri më 30 mars deklaroi se është e mundur “konflikt i vëllavrasjes”, përderisa pa VV, si parti fituese në zgjedhjet, formohet shumicë e re në Kuvendin e Kosovës.
“Qeveria e re do të formohet kur të mbahen zgjedhjet dhe secilit do t’i tregojmë se ku e ka vendin. Qeveri të re nuk ka nga 6 tetori deri në zgjedhje, duke mos hyrë në konflikt vëllavrasës, sepse ne nuk kemi për qëllim të lejojmë dikush të na e vjedh pushtetin”, porositi Bahtiri, i cili ishte zgjedhur të udhëheq me komunën e Mitrovicës si kandidat i opozitës së tanishme ndërsa i pushtetit të atëhershëm, përderisa para zgjedhjeve parlamentare të tetorit i’u bashkangjit partisë së Kurtit.(koha.mk)