Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi konfirmoi se Beogradi po i armatos serbët në Kosovë me qëllim që të mbrohen nga, siç thotë ai, kinse sulme nga shqiptarët. Ai në intervistë për servisin shqip të “Dojçe vele”-s theksoi se Prishtina ka vendosur se nuk do t’i lejojë Beogradit që në çfarëdo lloj mënyre t’u afrohet kufijve të Republikës së Kosovës, ose në të kundërtën nuk mund të garantojë se nuk do të vijë deri në përleshje të armatosura. Presidenti kosovar vlerësoi se muri afër lumit Ibër në veri të Mitrovicës, arrestimi i liderit të Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës Ramush Haradinaj në Francë dhe treni, që nga Beogradi duhej të mbërrinte deri në Mitrovicë, janë provokime të Beogradit të inspiruar nga modeli rus.
“Kosova ka qenë e gatshme t’i përgjigjet në mënyrë shtetërore këtij provokimi. Ne kemi informacione se në tren ka pasur armatim dhe njerëz paramilitarë me qëllim që të futen në Kosovë dhe të destabilizojnë Kosovën”, theksoi Thaçi në intervistën që u publikua një ditë pas ripërtëritjes së marrëveshjes së Brukselit midis Prishtinës dhe Beogradit. Thaçi pohoi se me këtë është njohur qëllimi i Serbisë për ndarje të Kosovës. I pyetur se nëse ka dëshmi duke pasur parasysh atë se bëhet fjalë për temë të rrezikshme që do të mund të çojë deri te konfliktet, Thaçi u përgjigj: “Definitivisht”. Ai theksoi se Serbia është duke përdorur modelin rus në Ukrainë dhe dërgojnë civilë, por edhe njerëz me uniforma në veri dhe është duke armatosur serbët me armë dore, por edhe me armë të tjera, në mënyrë që të jenë të përgatitur për t‘u mbrojtur nga kinse sulmet shqiptare. Thaçi u bëri thirrje serbëve në Kosovë që të mos bien pre e politikës nacionaliste të Beogradit.