Prishtinë, 22 janar – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi se procesi për bashkimin e Mitrovicës është i pandalshëm.
Thaçi i cili ndodhet në Davos në Forumin Botëror Ekonomik, në Fejsbuk shkroi se ka pasur takim me kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtirin dhe gjatë kësaj kanë konstatuar se qytetarët “e kanë thënë fjalën e tyre” për këtë çështje.
“Tani e kanë radhën institucionet, Qeveria, Kuvendi dhe presidenti”, shkroi Thaçi.
Përndryshe, Thaçi, dje në konferencë për shtyp, duke folur për kufizimin territorial me Serbinë, tha se Mitrovica, Trepça dhe Ujmani do të mbeten pjesë e Kosovës edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.
Iniciativën për “Mitrovicën e bashkuar” e ngriti Bahtiri në fund të vitit të kaluar. Pjesa jugore e Mitrovicës është e banuar kryesisht me shqiptarë, përderisa pjesa veriore kryesisht me serbë.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj e hodhi poshtë këtë iniciativë, pas çka Bahtiri deri te kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit dorëzoi peticion me nënshkrime nga qytetarët për mbështetje të propozimit të tillë.
Veseli atëherë i premtoi se peticioni do të vendoset në rend dite në Parlament.