Pas arrestimit të Ramush Haradinajt nga autoritetet franceze, ka reaguar edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.Ai nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij zyrtarë, “Facebook”, ndalimin e Ramush Haradinajt e ka quajtur të papranueshëm. “I dënueshëm dhe i papranueshëm, në çdo rrafsh, është ndalimi i Haradinaj në cilindo shtet të botës, vetëm për shkak të një urdhër-arresti të shtetit të Serbisë”, ka shkruar Thaçi, transmeton Zeri.info. “Ne pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës jemi krenarë që kemi luftuar kundër ligjeve diskriminuese e kriminale të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, ndërkaq drejtësinë tonë e vërtetoi edhe bota e lirë dhe demokratike kur ndërmori fushatën e bombardimit të caqeve serbe”, thotë Thaçi. Ai njoftoi se institucionet e shtetit të Kosovës po punojnë me tërë mekanizmat që kanë në dispozicion, që sa më parë të korrigjohet ky gabim dhe që Haradinaj të lihet i lirë.
“Ky është edhe një argument tjetër pse Kosova duhet të jetë pjesë e institucioneve ndërkombëtare, që ato të jenë në gjendje të zbulojnë të vërtetën për Kosovën dhe Serbinë, për drejtësinë”, thekson Thaçi. AKR po ashtu i bën thirrje Qeverisë së Kosovës, që të angazhohet konkretisht që rastet e tilla kur qytetarët e Kosovës arrestohen bazuar në fletë arrestet e Serbisë, të mos ndodhin më. Agjencia e lajmeve Rojters e cila ka raportuar në lidhje me ndalimin që i është bërë kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj nga policia kufitare franceze duke iu referuar një burimi gjyqësor citon se hetuesit sot do të hetojnë faktin nëse ka pasur arsye për të mos e ekzekutuar kërkesën për ekstradim të palës serbe, posaçërisht në këtë rast pasi është lëshuar për arsye politike. “Ata do të shikojnë nëse ai është gjykuar më parë para gjykatës së OKB-së për të njëjtat akuza me ato të urdhër arrestit të lëshuar nga Serbia”, ka thënë burimi i Rojters, transmeton Koha.net. Haradinaj, ishte duke udhëtuar me pasaportë diplomatike kur u ndalua nga autoritetet franceze.