Në organizim të Këshillit Konsulativ për Komunitete, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së presidentit të Kosovës, sot filloi konferenca një javore rajonale për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve joshumicë. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në hapjen e konferencës tha se Kosova është e përkushtuar në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe ndërtimin e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore me të gjitha vendet e rajonit.
Ai porositi se në nivel rajonal mund të arrihet shumë më shumë drejt përmirësimit të komunikimit dhe bashkëpunimit mes shteteve dhe theksoi disa nga çështjet që mund të avancohen, të tilla si mundësimi i qarkullimit të lirë të qytetarëve dhe mallrave nëpër vendet e rajonit. “Për shembull, qytetarët e Kosovës nuk mund lirshëm të lëvizin nëpër Bosnjë e Hercegovinë dhe anasjelltas, ndërsa është absurde ajo se mund më lehtë të lëvizin nëpër territorin e Serbisë se sa nëpër Bosnjë e Hercegovinë. Këto pengesa duhet tejkaluar”, theksoi Thaçi.
Presidenti kosovar tha se as malli nga Kosova nuk mund të transportohet lirisht nëpër vendet e rajonit. Ai vlerësoi se këto pengesa nuk duhet të ekzistojnë dhe se as nuk duhet të ketë nevojë për të ndërmjetësuar faktori ndërkombëtar në zgjidhjen e këtyre çështjeve. Në konferencë, përveç përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë nga Kosova, marrin pjesë edhe përfaqësues të komuniteteve joshumicë nga Kroacia, Mali i Zi, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia.
Thaçi këtë forum e cilësoi në shërbim të bashkëpunimit rajonal dhe dialogut, që sipas tij, promovon Kosova, si dhe në funksion të shkëmbimit të ideve dhe praktikave më të mira për krijimin dhe zbatimin e politikave afirmative. Ai konstatoi se se ky forum duhet të shërbejë në “gjetjen e një zgjidhjeje për prishjen e mureve që ende i kemi midis nesh”.
Ai gjithashtu theksoi se Kosova është një shembull i mirë për afirmimin e komuniteteve joshumicë, sepse siç tha ai, Kosova është ndërtuar mbi parimet kushtetuese të përfshirjes, barazisë dhe lirisë së çdo individi. Ai poashtu shtoi se komunitetet joshumicë janë të përfaqësuara në institucionet politike në vend dhe se ato kanë mundësi të garantuara për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e tyre demokratike e politike. Sipas tij, në Kosovë ekziston kuota për punësimin e pakicave në institucionet publike, për regjistrimin e studentëve nga komuniteti pakicë në universitetet publike, si dhe legjislaturë kundër diskriminimit të qytetarëve kosovarë.
Këshilltari politik për komunitete nga Zyra e BE-së në Kosovë, Stefano Gnoci, tha se rekomandimet e Këshillit Konsultativ për Komunitete duhet të merren seriozisht. Ai tha se BE-ja mbështet punën e këshillit si një partner të rëndësishëm, i cili është përfshirë në raportin mbi zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Duke kryesuar Këshillin Konsultativ për Komunitete të Kosovës, Gazman Salieviç, theksoi se ka hapa pozitive në integrimin e komuniteteve joshqiptare në Kosovë. Mirëpo, ai shtoi se ende ka probleme dhe Këshilli Konsultativ ekziston për të promovuar dhe avokuar që të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe ligje të zbatohen.