Trajneri i ri i Shangai Shenhua, Vu Jingui, ka deklaruar se Karlos Tevez është mbi peshë dhe këmbëngul se nuk do ta marrë sulmuesin në ekip derisa ai të jetë në formë, pavarësisht se lojtari merr 40 milionë euro në sezon. Tevez është futbollisti më i paguar në rruzullin tokësor, që në momentin kur vendosi të largohet nga Boka Juniors për të luajtur në Kinë, por ka pasur probleme me formën në kampionatin aziatik ku ka shënuar vetëm dy gola në 11 ndeshje të luajtura.
Vu thotë se Tevez, i cili sapo është kthyer nga dëmtime, nuk është gati për të luajtur në ndeshje në Super Ligën e Kinës. “Nuk do ta përfshijë në ekip sepse nuk është gati për të luajtur. Fizikisht nuk është i mundur, – tha Vu, i cili mori vendin e Gus Poyet në fillim të javës. – Bashkë me Fredy Guarin ai është mbi peshë. Unë kam përgjegjësi për ekipin dhe për futbollistët, nëse nuk mund të luash në nivele të larta, atëherë edhe nëse quhesh Tevez do të presësh momentin. Gjatë karrierës time kam drejtuar shumë futbollistë të mëdhenj dhe asnjëherë nuk e kam pasur problem reputacionin. Tevez e di që në fushë zbresin ata që janë në formë”, deklaroi Vu.