Shkup, 8 prill – Procesi i kthimit të borxhit të komunave është në vijim, ndërsa ministri i Financave Dragan Tevdovski është optimist se komunat do ta respektojnë afatin ligjor për shlyerjen e borxhit të tyre dhe paralajmëron se sivjet nuk janë paraparë mjete shtesë për kthimin e borxheve të shtresuara që i kanë njësitë e vetëqeverisjeve lokale dhe shfrytëzuesit në kompetencë të tyre.
“Nuk planifikojmë këst të ri për kthimin e borxheve të komunave për sivjet. Mendojmë se shlyerja e borxheve do të jetë operacion i suksesshëm, sepse për funksionimin e komunave, por edhe për shkollat, çerdhet dhe kopshtet u është dhënë gjysma e detyrimeve të grumbulluara dhe të ndërmarra prej më herët, bashkërisht me vendosjen e mekanizmit i cili do t’i detyrojë të kërkojnë shlyerjen e interesave dhe uljeve. Konsideroj se pas këtij operacioni këto detyrime të ndërmarra dhe të papaguara seriozisht do të ulen. Ministria e Financave u vendosi një rregull fiskal me të cilën u pamundësojmë diçka të tillë që një gjë e tillë të ndodhë në të ardhmen”, tha Tevdovski në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve gjatë kohës së pushimit në konferencën PEMPAL që sot dhe nesër po mbahet në Shkup.
Potencoi se Ministria e Financave bën gjithçka që është në kompetencë të saj që të rregullohen borxhet e komunave, ndërsa një ndër hapat kryesorë për këtë, vlerësoi, është rregulla fiskale që është vendosur te komunat, por edhe hapat seriozë që i ka bërë Ministria për transparencë përmes të cilave qytetarët mund të ndjekin shpenzimin e të gjitha institucioneve dhe të bëjnë presion nëse ka joefikasitet.
“Komunat kanë afate të cilat janë paracaktuar në ligj. Mbetet detyrimi i tyre që të përcaktojnë cili do të heq dorë nga interesi, të kërkojnë ulje dhe pastaj në mënyrë transparente këtë ta kalojnë në Këshill dhe ta publikojnë. Mendoj se te një pjesë e komunave kjo po ndodh. Afatet janë deri në mes të vitit dhe në Ministrinë e Financave jemi optimistë se në fund të të këtij procesi borxhet e komunave dhe shfrytëzuesve individualë të cilat janë në kompetencë të tyre do të ulen për shumicën e mjeteve të cilat i kemi dhënë”, tha Tevdovski dhe shtoi se është optimist se komunat do ta respektojnë afatin ligjor.