Shkup, 16 janar– Nga viti 2019 dëshirojmë të fillojmë me buxhetim afatmesëm, të dalim nga kornizat në të cilat planifikohet vetëm viti vijues fiskal dhe të kemi plan për tre ose katër vitet e ardhshme, paralajmëroi sot ministri i Financave Dragan Tevdovski në fjalimin e tij në Vjenë në panelin kryesor të Euromoney, konferenca më e madhe nga sfera e financave në Evropën Qendrore dhe Lindore.
Kjo reformë, siç theksoi, do të punohet në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN).
“Së bashku me FMN-në do të punojmë në implementimin e rregullave fiskale, mekanizmave me të cilët në mënyrë efikase do ta kontrollojmë nivelin e borxhit publik. Një nga përfitimet kyçe është se do ta ndryshojmë mënyrën e planifikimit dhe do të përmirësohet targetimi posaçërisht tek kompensimet sociale dhe subvencionet bujqësore, me çka do të përmirësohet efikasiteti i tyre”, theksoi Tevdovski.
Tevdovski, informojnë nga Ministria e Financave, mori lëvdata nga panelistët e tjerë për interesin jashtëzakonisht të ulët që javën e kaluar e arriti euro-bonoja e Maqedonia në tregun ndërkombëtar të kapitalit.
Ministri theksoi se Maqedonia emetoi euro-bono me interes më të ulët historik dhe se kjo mund të llogaritet si sukses për disa shkaqe.
“Së pari, interesi i investuesve ishte i madh, kishte kërkesë të madhe prej 3,5 miliardë eurosh ose shtatë herë më e lartë se oferta. Ky është sinjal i qartë se investuesit ndërkombëtarë pozitivisht e vlerësuan perspektivën e ekonomisë së Maqedonisë. Së dyti, arritën interes më të ulët historik. Ky është sinjal i qartë se në të kaluarën politikat ekonomike nuk kanë qenë më të suksesshme dhe për këtë arsye ndoshta kemi paguar çmim më të lartë për euro-bonot. Gjëja e tretë të cilën do të theksoja është se Maqedonia tani për herë të parë hyri në menaxhimin proaktiv me borxhin publik, e rifinancuam euro-bonon e cila arrin vitin 2020, para kohe duke e paguar një të tretën e saj e cila arrinte viteve të kaluara, me interes dyfish më të ulët”, saktësoi Tevdovski.
Theksoi se tanimë janë ndërmarrë hapa për konsolidim gradual fiskal dhe shtoi se deficiti buxhetor sivjet nga 2,9 është zvogëluar në 2,7 për qind, ndërsa plani është se deri në vitin 2020 të sillet në dy për qind. Jashtëzakonisht është rritur edhe transparenca fiskale, janë shkurtuar shpenzimet joproduktive, ndërsa me reformat tatimore të cilat planifikohen për vitin e ardhshëm, siç tha, do të përmirësohet ana e të ardhurave të buxhetit që gjithashtu do të ndikojë në uljen e deficitit buxhetor.
Porositi se shpenzimi publik është orientuar drejt infrastrukturës, ndaj projekteve intensive kapitale. Punohet në përmirësimin e lidhjeve me fqinjët, si dhe përmirësim të infrastrukturës nga kryeqyteti deri te qendrat turistike në vend.
“Duke pasur parasysh se kriza politike është pas nesh, pritjet janë se vendi do të bëjë hap përpara lidhur me anëtarësimin në NATO, si dhe se do t’i fillojmë negociatat për anëtarësim në BE. Kjo do të kontribuojë për rritje ekonomike më intensive dhe të qëndrueshëm në Maqedoni”, tha Tevdovski në fjalim.
Në konferencën, e cila për të 23-ën herë me radhë mbahet në Vjenë, morën pjesë mbi 1.100 pjesëmarrës, duke përfshirë ministra të financave, guvernatorë të bankave qendrore, drejtorë të institucioneve financiare dhe investues. Ministri Tevdovski ishte një nga folësit kryesor, së bashku me Evald Novotni, guvernator i Bankës Qendrore të Austrisë, Vardan Armija, ministër i Financave i Armenisë, Mamuka Baktaxhe, ministër i Financave i Gjeorgjisë, Zdravko Mariq, ministër i Financave i Kroacisë, Vilius Shapoka, ministër i Financave i Lituanisë dhe Dushan Vujoviq, ministër i Financave i Serbisë.