Shkup, 20 shkurt -Në vitin 2018 kemi kemi rritje më të lartë të neto-rrogës mesatare në nëntë vitet e fundit, madje disafish më të lartë në krahasim me vitet paraprake, thotë për MIA-n, ministri i Financave Dragan Tevdovski. Siç thuhet, në vitin 2018 ndjehet efekti i rritjes së rrogës minimale, por po ashtu ndikim ka edhe rritja e produktivitetit.
“Në dhjetor të vitit 2018 rroga mesatare afrohet deri 26 mijë denarë ose kjo është gati dy mijë denarë më shumë se në krahasim me dhjetorin e vitit 2017. Kjo është pa dyshim është rritja më e madhe e rrogës mesatare në nëntë vitet e fundit. Rritje të dytë më të madhe kemi në vitin 2017. Nëse në vitin 2017 efekt ka pasur ngritja e rrogës minimale, në vitin 2018 i dukshëm është efekti i rritjes së produktivitetit të firmave”, thotë Tevdovski.
Ai pret që trendi pozitiv të vazhdojë edhe gjatë periudhës së ardhshme. Efekt pozitiv pritet edhe nga përparimi në integrimet euroatlantike, gjë që do të kontribuojë për intensifikimin e aktivitetit investues dhe rritjes së ekonomisë.
Ministri i Financave thotë se Qeveria edhe më tej do të vazhdojë me masat dhe politikat që janë në drejtim të përmirësimit të standardit të jetesës së qytetarëve. Ai shtoi se nga njëra anë janë aktive masat për punësim, për të cilat çdo vit kjo Qeveri siguron më shumë mjete, që duhet të sigurojnë përshtatshmëri më të madhe në tregun e punës. Nga ana tjetër është përkrahja e biznesit, investimet e vendit dhe të huaja, në drejtim të krijimit të më shumë dhe më mirë të paguara vendeve të punës.
Sipas të dhënave të Entit shtetëror për statistikë, neto-rroga e paguar mesatare mujore për një të punësuar, në dhjetor të vitit 2018, në kraahasim me dhjetorin e vitit 2017, është 8,1 për qind. (koha.mk)