Shkup, 11 maj – Në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë ka pagesë të shkëlqyeshme të të ardhurave, ka likuiditet të shkëlqyeshëm, ndërkaq insistimi i Qeverisë është realizimi i shpenzimeve kapitale.
Këtë e theksoi ministri i Financave, Dragan Tevdovski duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve nëse po përgatitet ribalanc i buxhetit.
“Çdo vit paraprakisht bëhej ribalanci i Buxhetit. Nuk ka vit që Maqedonia nuk ka bërë ribalanc dhe në pjesë më të madhe janë bërë për shkak të pagesës së dobët të të ardhurave. Për momentin kemi pagesë të shkëlqyeshme të të ardhurave, por gjithsesi se mendojmë se si më së miri t’i sistemojmë mjetet. Kur do të kemi informata më të hollësishme, do të dalim në opinion”, deklaroi Tevdovski.
Ai shtoi se ka likuiditet të shkëlqyeshëm dhe se beteja kryesore është të ketë realizim të investimeve kapitale.
“Për momentin insistimet tona, por praktikisht bëjmë edhe presion ndaj të gjithëve që t’i realizojnë investimet kapitale, sepse të ardhurat janë adekuate me projeksionet. Absolutisht kemi likuiditet të shkëlqyeshëm dhe beteja kryesore është të kemi realizim të investimeve kapitale”, theksoi minsitri i Financave dhe shtoi se po kontraktohen edhe investime të reja me BERZH-in të cilat do t’i japin mundësi ekonomisë që të shkojë përpara.