Viti i ardhshëm do të jetë viti kur do të rriten pagat, numri i vendeve të punës dhe investimeve. Nëse në vitin 2018 ishte viti i reformave kyçe dhe vendosja e një baze të mirë të sistemit ekonomik, viti 2019 duhet të jetë viti ku seriozisht duhet të ndjehen efektet e këtyre reformave, tha në intervistë për MIA-n, ministri i Financave Dragan Tevdovski.
Tevdovski citon se Ministria e Financave dhe DAP janë të gatshëm për ta zbatuar reformën tatimore që nga viti i ardhshëm.
Në fillim të vitit, ju theksuat se viti 2018 do të jetë i mirë për ekonominë e Maqedonisë. A i qëndroni kësaj deklaratë edhe tani kur shihet fundi i vitit?
“Rritja e pagave, krijimi i vendeve të punës, mbështetja e ndërmarrjeve, menaxhimi i përgjegjshëm i financave publike – janë qëllimet që duam të arrijmë. Nëse i shohim të gjitha këto parametra në vitin 2018, mund të themi se ky vit ishte i mirë për ekonominë e Maqedonisë.
Sipas të dhënave të fundit nga Enti Shtetëror i Statistikës, nga fillimi i vitit paga mesatare është më e lartë për 5.7 për qind. Ajo që është veçanërisht e rëndësishme është se ka rritje dyshifrore në sektorët me paga më të ulëta (tekstile, veshje dhe lëkurë). Papunësia ka rënë në 20.8 për qind dhe është më e ulëta ndonjëherë.Janë hapur 14,239 vende të reja pune, sipas statistikave të fundit. Pas një periudhe të gjatë, besimi i investitorëve është rikthyer. Nëntë muajt e parë investimet e drejtpërdrejta të huaja arritën në 316 milion euro, që është dukshëm më i lartë se vlera vjetore e vitit të kaluar.Eksporti është rritur për 16 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Industria, si dhe sektori i shërbimeve, po rritet. Tremujori i dytë dhe i tretë kanë realizim solid të prodhimit të brendshëm bruto dhe ne presim të njëjtën gjë për tremujorin e fundit të këtij viti.
Janë bërë reforma të rëndësishme në financat publike. Këtë vit ne kemi përgatitur tri reforma të mëdha – taksat, reformat e pensioneve dhe reformat e sistemit social. Ato do të sigurojnë konsolidim gradual fiskal, do të reduktojnë deficitin e Fondit Pensional Invalidor të Maqedonisë, do të ketë targetim më të mirë të transfertave sociale dhe do të sjellin të ardhura minimale adekuate.
Gjithashtu Ligji i ri për Ligjin për furnizime publike parasheh një përmirësim të ndjeshëm të sistemit për furnizime publike duke sjellë më shumë transparencë dhe efikasitet më të madh në furnizimet publike.Ne gjithashtu bëmë një zgjidhje sistematike për të zgjidhur problemin e detyrimeve të pazgjidhura të lëna nga qeveria e mëparshme. Ne tani kemi të dhëna të qarta, një mekanizëm për të parandaluar akumulimin e tyre në të ardhmen, ndërkohë që shumë nga detyrimet tashmë janë shlyer.
Ne jemi vazhdimisht duke punuar në përmirësimin e transparencës fiskale. Këtë vit u përgatit një ueb aplikim “Buxheti Qytetar”, i cili përfshin buxhetet për 2017, 2018 dhe 2019. Është e thjeshtë dhe e lehtë për t’u përdorur për publikun e gjerë.
Si ka qenë pagimi i tatimeve për këtë vit?
“Është realizuar rritja e lartë e taksave dhe kontributeve të grumbulluara prej 8.1 për qind që nga nëntori i vitit 2018. Pagesa më e mirë e të gjitha llojeve të tatimeve, si dhe kontributeve, është një konfirmim i lëvizjeve pozitive në ekonomi dhe punësimit.
Në të njëjtën kohë, rimbursimi i TVSH-së bëhet në mënyrë të menjëhershme, jo-selektive – automatikisht. Rimbursimet e TVSH-së për kompanitë u rritën me 18 për qind krahasuar me një vit më parë, duke arritur në 22.8 miliardë denarë ose 370.7 milionë euro.
A jeni gati për të zbatuar reformën e taksave vitin e ardhshëm?
“Po jemi gati. DAP është gjithashtu gati. Futja e një sistemi të drejtë tatimor ishte një nga premtimet e Qeverisë ndaj qytetarëve. Kjo zgjidhje u prezantua dhe u debatua me palët e interesuara. Disa nga vërejtjet u zbatuan dhe tani jemi gati për zbatimin e saj.
Përveç kësaj, vitin e ardhshëm qytetarët do të shohin se si do të thjeshtësohet procedura e tyre për dorëzimin e raporteve vjetore tatimore.
Edhe këtë vit, por edhe për vitin e ardhshëm keni paraparë paga më të larta në sektorin publik. A ka efekte rritja e pagave dhe a ka mundësi që buxheti ta përballojë atë në afat të gjatë?
“Duam kushte më të mira për jetën e të gjithë qytetarëve. Së pari, kjo nënkupton standard më të lartë jetësor, paga më të larta për të gjithë qytetarët, duke përfshirë edhe sektorin publik. E dyta, kjo nënkupton kushte më të mira nga sektori publik për qytetarët. Të punësuarit të cilët janë më mirë të paguar janë më të motivuar, punojnë më mirë. Në sektorin publik, në shumicën e aktiviteteve pagat nuk ishin korrigjuar me vite. Për atë kemi mungesë të mjekëve, arsimtarë të pamotivuar. Këto janë shtyllat e një shoqërie.
Çfarë duam të arrijmë? Duam që mjekët më të mirë, qytetarët t’i kërkojnë në shëndetësinë publike e jo në atë private. Duam që punëtorët në arsim të jenë të motivuar, t’i mësojnë nxënësit e jo vetëm ta ligjërojnë mësimin. Duam të sigurojmë kushte të mira për qytetarët në të gjitha segmentet e sektorit publik. Për këtë arsye po punohet edhe për reformat në administratë. Nevojiten institucione të fuqishme dhe funksionale.
Jemi të angazhuar edhe për rritjen e pagave edhe në sektorin privat. Një nga hapat e para që ndërmori Qeveria ishte rritja e pagës minimale në të gjithë sektorët. Ajo kontribuoi në lëvizjen e pagave dhe rritje më të madhe të pagës mesatare, veçanërisht tek ato veprimtari të cilat më herët merrnin pagë nën minimalen. Këtu janë edhe masat për mbështetjen e ndërmarrjeve, të cilat përkrahin punë më mirë të paguara.
Në lidhje me pyetjen a do të mund buxheti në afat të gjatë ta përballojë rritjen – gjithsesi, ndryshe nuk do të ishte paraparë.
Cilat janë pritjet për vitin 2019, a do të jetë një vit më i mirë në planin ekonomik për dallim nga viti 2018?
“Nëse viti 2018 ishte vit i reformave të mëdha dhe vendosjes të themeleve për një sistem më të mirë ekonomik, viti 2019 duhet të jetë një vit ku tanimë më seriozisht duhet të ndjehen efektet e këtyre reformave. Presim që pagat të vazhdojnë të rriten edhe vitin e ardhshëm, të hapen vende të reja të punës të intensifikohen investimet dhe të vazhdojmë me agjendën e integrimeve euroatlantike.
Gjatë vitit të ardhshëm në Buxhet janë paraparë më shumë mjete për masat aktive për punësim, më shumë mjete për ndërmarrjet, mjete për trajtim falas në spital, për të ardhura minimale të garantuara për kategoritë sociale, për investime në infrastrukturë.
Vazhdojmë me zbatimin e reformave në financat publike. Gjatë vitit 2018 duhet të kemi ligj të ri mbi buxhetet. Së shpeti do ta prezantojmë platformën “Open finance”, përmes së cilës të gjithë qytetarët do të kenë njohuri në kohë reale për pagesat nga thesari.
Shkurt, presim një vit me agjendë të ngjeshur. Por viti 2019 do të jetë edhe një vit i rezultateve ekonomike, ku pagat, numri i vendeve të punës dhe investimet do të rriten.