Urim HASIPI
Tetovë, 15 korrik – Këtë javë, sipas parashikimeve të sinoptikëve, pritet që temperaturat të arrijnë mbi 40 gradë celsius. Qytetarët me këtë rast duhet që të jenë më të kujdesshëm gjatë këtyre temperaturave, sidomos me veshjen, ushqimin dhe kur dalin në rrugë, në veçanti nga ora 10 deri ora 17.00, shkruan gazeta KOHA.
Mjekët nga Reparti i Ndihmës së Shpejtë në Tetovë, apelojnë që qytetarët të kenë kujdes dhe presin që të ketë rritje të numrit të pacientëve që do të kërkojnë ndihmë mjekësore. Sipas tyre, qytetarët gjithnjë duhet që të respektojnë rekomandimet e mjekëve për këtë periudhë, sepse rreziku më i madh është për pacientët me sëmundje kronike, ata me shtypjen e lartë të gjakut, ata me sëmundjen e sheqerit, pacientët që kanë problem me frymëmarrjen e kështu me radhë. “Duhet që qytetarët e kësaj kategorie, të mos dalin jashtë pa nevojë nga ora 10 deri ora 17.00. Nëse kanë ndonjë problem, duhet të paraqiten tek mjeku amë. Është mirë që qytetarët shfrytëzojnë vendet ku ka më shumë freski, të qëndrojnë në vende të klimatizuara, të konsumohet më shumë ujë, ka edhe prej atyre që shfrytëzojnë pishinat dhe ata duhet të kenë kujdes gjatë ekspozimit në diell”, thotë Gëzim Nuredini, kryeshef i ndihmës së parë në Tetovë. Ai nënvizon se duhet që edhe krahas kësaj, qytetarët të kenë kujdes edhe me higjienën personale, sidomos me pastrimin e duarve, sepse ka shumë pacientë në këtë kohë që kanë probleme me stomakun si pasojë e infektimeve të ndryshme nga papastërtia. Nga ky repart thonë se po ashtu duhet që qytetarët të kenë më shumë kujdes edhe me veshjen kur lëvizin.
“Duhet që qytetarët më shumë të mbajnë veshje me ngjyrë të bardhë, të mos jenë veshjet me ngjyrë të errët, ata që punojnë jashtë të mbajnë kapelë. Ata që qëndrojnë në shtëpi duhet të bëjnë ajrosje më të madhe të ambientit, ata që kanë sistem të klimatizuar të kenë kujdes të mos qëndrojnë afër saj gjatë kohë. Pra, me një fjalë, ata duhet që të rregullojnë temperaturën brenda në ambient të mbyllur me atë jashtë që dallimi të jetë diku 8 gradë. Duhet që qytetarët të kenë kujdes me ushqimin, të mos konsumojnë ushqime me yndyra, me më shumë sheqer, siç janë ëmbëlsirat dhe të konsumohet ushqim sa më i lehtë”, deklaroi Nuredini.
Në Tetovë gjatë muajve të verës, sidomos gjatë temperaturave të larta, mungojnë pikat emergjente brenda në qytet, sidomos në pjesën qendrore, por edhe në periferi, ku mund të ofrohet ujë dhe ndihmë mjekësore nëse qytetarët kanë nevojë. Nga ky repart thonë se deri më tash nuk është aplikuar një gjë e tillë, për dallim prej Shkupit, pasi që hapësirat e spitalit dhe të ndihmës së parë janë afër qendrës. “Kjo është një metodë e mirë, sepse me këtë ne jemi më afër qytetarëve, por duhet ta dimë se Shkupi është shumë më i madh dhe distance deri te klinikat është e madhe, kurse në Tetovë distanca nga qendra deri te klinika është më afër. Atje dalin më shumë institucione në teren dhe distribuohet ujë, ne do të konsultohemi me institucionet tjera për të aplikuar një metodë të këtilla, por mendoj se apelet tona janë mirëkuptuar dhe gjatë ditës ka shumë pak lëvizje, por nëse do të jetë e nevojshme, ne në koordinim edhe me autoritetet lokale do të shqyrtojmë një gjë të këtillë”, tha ai. Edhe Institucionet qendrore kanë apeluar për më shumë kujdes gjatë ditëve në vijim kur pritet të ketë temperatura mbi 40 gradë celsius. (koha.mk)