Urim HASIPI
Tetovë, 19 qershor – Autoritetet arsimore në Tetovë presin që këtë vit në shkollat e Tetovës të regjistrohen rreth 1300 nxënës. Ky numër, sipas tyre, nëse arrihet, atëherë do të jetë numri i lartë i fëmijëve të regjistruar në dhjetë vjetshin e fundit. Ahmed Qazimi, udhëheqës i Sektorit për Arsim në Komunën e Tetovës, njofton se për këtë vit janë paraparë të regjistrohen 1678 fëmijë. Sipas tij, deri më tani në shkollat fillore të Tetovës janë regjistruar 1008 fëmijë në 12 shkollat fillore. “Gjithsej 814 janë me mësim në gjuhën shqipe, 178 me mësim në gjuhën maqedonase dhe 16 me mësim në gjuhën turke. Ky numër është më i lartë se numri i vitit të kaluar, për shkak se vitin e kaluar numri i atyre që janë regjistruar ka qenë 964, pra kemi një rritje të numrit të nxënësve që regjistrohen në klasë të parë dhe besoj se ky trend do të vazhdojë deri në shtator. Pritjet tona janë që këtë vit të arrijmë të regjistrojmë 1300 nxënës. Nëse arrihet kjo shifër, atëherë do të kemi numrin më të lartë të nxënësve të regjistruar në klasë të parë në dhjetë vitet e fundit”, deklaroi për KOHA Qazimi.
Ai më tej nënvizon se edhe në Malësinë e Tetovës ka përmirësim të situatës sa i përket regjistrimit të fëmijëve në klasë të parë. “Ne jemi të kënaqur që rritet numri i fëmijëve, që janë të regjistruar në klasë të parë. Kjo vlen për të tre përkatësitë etnike, po ashtu vlen për të gjitha vendbanimet e Komunës së Tetovës. Në Tetovë vërehet një migrim i popullatës nga komunat që janë përreth Komunës së Tetovës dhe kjo e shton numrin e nxënësve që regjistrohen në klasë të parë. Në çdo vendbanim të Komunës së Tetovës, kemi rritje të numrit të nxënësve. Edhe pse mund të themi se është një rritje simbolike, megjithatë në total kjo vlen shumë për në fshatrat e Malësisë së Tetovës. Për shembull, në Shipkovicë janë regjistruar 21 nxënës, në Brodec numri i fëmijëve është 18, rritje kemi edhe në fshatin Gjermë, në Sellcë dhe Vicë. Nëse e krahasojmë këtë me dhjetë vite më përpara kur kishim 994 nxënës, vitin e kaluar kishin 1198 nxënës dhe shpresojmë që këtë vit të arrijmë maksimumin e këtij 10 vjeçari”, thotë Qazimi.
Megjithatë, drejtuesi i këtij sektori nuk jep përgjigje të saktë se si qëndron puna me shpërndarjen e nxënësve në shkollat e Tetovës për nga territori që i takon. Sipas informacioneve jozyrtare, fëmijë nga e njëjta lagje mësojnë në shkolla të ndryshme. “Deri më tani jemi munduar që të jemi të kujdesshëm me shpërndarjen e nxënësve, mirëpo nëse ndodh që të jenë afër dy shkollave, atëherë ata zgjedhin shkollën më të mirë. Është evidente se kemi pasur fluks në disa shkolla të Tetovës në krahasim me të tjerat. Rritja e cilësisë ka sjellë edhe atë konkurrencën e brendshme, por njëkohësisht edhe tërheq më shumë prindër për të dërguar fëmijët e tyre në shkollat e suksesshme”, thotë Qazimi. Nga ana tjetër, viteve të fundit dukshëm është rritur interesimi për regjistrimin e fëmijëve ne çerdhet “Rinia” të Tetovës. Për dallim nga viti i kaluar ku në çerdhen “Rinia” ishin regjistruar 720 parashkollorë, ndërsa për këtë vit shkollorë në çerdhet e Tetovës janë paraqitur për regjistrim 856 fëmijë. Kjo, Sipas sektorit për veprimtari publike pranë Komunës së Tetovës, tregon besueshmërinë që kanë qytetarët në institucionet e arsimit parashkollorë dhe atij fillorë në qytetin e Tetovës. Sipas tij, interesimi i lartë i prindërve për të regjistruar fëmijët e tyre në çerdhet “Rinia” të Tetovës, sipas Qazimit, sigurisht se do të shtojë nevojën për hapjen e qendrave të reja për zhvillim të hershëm dhe çerdheve, në këtë drejtim deri më tani janë hapur disa qendra për zhvillim të hershëm në disa vendbanime që gravitojnë në Komunën e Tetovës. Ndryshe aktualisht fëmijët e Tetovës dhe rrethinës procesin edukativo arsimor të ciklit parashkollorë e ndjekin në pesë çerdhet “Rinia” të Tetovës, në disa qendra për zhvillim të hershëm që funksionojnë në Tetovë dhe rrethinë si dhe në disa çerdhe private të cilat plotësojnë nevojat e fëmijëve. (koha.mk)