Në ndërkohë, sipas autoriteteve të pushtetit lokal pas jetësimit të ndërmarrjes pritet që të ndërtohen edhe objekte të mini-stacioneve pasi që vendet janë përcaktuar kohë më parë. Autobusët kanë disa vende ku ndalen, por edhe për furgonët mungojnë stacionet e vogla të mbuluara, ku udhëtarët do të mund të qëndrojnë dhe presin autobusin apo furgnonin
Urim HASIPI
Tetovë, 19 gusht – Pas funksionalizimit të Ndërmarrjes Publike Tetova Transport, tashmë është duke u punuar edhe në lokacionet prej nga do të fillojnë autobusët të qarkullojnë. Sipas vendimit të këshillit të Komunës së Tetovës, peroni dhe përfundimi i qarkullimit do të jetë stacioni i autobusëve ndërsa stacioni i fundit do të jetë rrethrrotullimi te Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë, shkruan gazeta KOHA.
“Lokacionet e qëndrimeve të autobusëve në qytet do të jenë, bulevardi Iliria para objektit të interprometit, në drejtim kah qendra, më pas do të jetë edhe stacioni para Qendrës për Kulturë. Stacion tjetër ndalimi do të jetë edhe stacioni para Gjykatës së Tetovës dhe përpara Xhamisë së Larme. Më pas në këtë bulevard, stacion për udhëtarët do të ketë edhe tek udhëkryqi për në rrugën e Kodrës së Diellit, tek kompleksi Shipad, tek kthesa për në bulevardin “Bllagoja Toska”, tek udhëkryqi me bulevardin “Bllagoja Toska” dhe përpara Shkollës së Mesme të Bujqësisë”, thonë nga Komuna e Tetovës.
Në ndërkohë, pas regjistrimit të ndërmarrjes, do të hapet tenderi për furnizim me autobusë dhe ky proces pritet që deri në fund të vitit të përfundojë. Në ndërkohë, sipas autoriteteve të pushtetit lokal pas jetësimit të ndërmarrjes pritet që të ndërtohen edhe objekte të mini-stacioneve pasi që vendet janë përcaktuar kohë më parë. Autobusët kanë disa vende ku ndalen, por edhe për furgonët mungojnë stacionet e vogla të mbuluara ku udhëtarët do të mund të qëndrojnë dhe presin autobusin apo furgnonin. Përderisa në të gjitha qytetet e Maqedonisë ka mini-stacione të tilla, në Tetovë nuk ka asnjëherë. “Vendet adekuate për ndalim të automjeteve të transportit urban janë përcaktuar që në kohën kur janë përcaktuar vendet e parkimit. Ato vende një kohë të gjatë kanë qenë në një formë të uzurpuara, kurse tashmë janë të liruara dhe në ato vende mund të ndalojnë autobusët”, thonë nga Komuna e Tetovës.
Nga Komuna shtojnë se me themelimin e ndërmarrjes për transport do të duhet që edhe kjo problematikë të zgjidhet. Edhe agjencitë turistike theksojnë se ky problem duhet të zgjidhet. Sipas tyre, për momentin autobusët ndalen në shumë vende dhe pengojnë komunikacionin për të marrë udhëtarët, kurse nga ana tjetër edhe udhëtarët nuk kanë një vend adekuat ku do të presin. Në ndërkohë, për dallim nga qyteti, në rrugën Tetovë-Jazhincë, pothuajse në të gjitha fshatrat ka mini-stacione apo vende të mbuluara ku udhëtarët presin autobusin, apo mjetet tjera të transportit të cilët të paktën nuk duhet të qëndrojnë jashtë kur ka reshje atmosferike. (koha.mk)