Edhe një nga parqet më të mëdha përgjatë rrugës “Boris Kidriç”, duke filluar nga Qendra për Kulturë e deri tek Qendra Sportive, viteve të fundit është përfshirë nga ndërtimet dhe zaptimet e tavernave
Urim HASIPI
Tetovë, 31 korrik – Komuna e Tetovës me shpërndarjen e të punësuarve nga administrata në ndërmarrjet publike do të tentojë të zgjidhë problemin me mungesën e kuadrit, e cila sipas informacioneve, është një nga shkaktarët për mungesën e higjienës dhe mbajtjen e gjelbërimit në qytet, shkruan gazeta KOHA. Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, disa herë ka theksuar se ka mungesë edhe të punësuarve në ndërmarrjen “Parqet dhe gjelbërimi”, sepse një numër shumë i vogël i punëtorëve kujdesen për një qytet ku gravitojnë rreth 100 mijë qytetarë. Ajo ka nënvizuar se ky proces duhet të fillojë me shpërndarjen e administratës nëpër ndërmarrjet publike, por pa precizuar se kur do të fillojë ky proces. Tetova kësisoj ngel pa hapësira të gjelbërta viteve të fundit. Të njejtat shkatërrohen në mënyrë të pamëshirshme.
Një nga parqet më të mëdha përgjatë rrugës “Boris Kidriç”, duke filluar nga Qendra për Kulturë e deri tek Qendra Sportive, viteve të fundit është përfshirë nga ndërtimet dhe zaptimet e tavernave. Një pjesë tashmë është rregulluar si parking, ndërsa përgjatë rrugës janë vendosur edhe mburoja prej metali për ndërtimet që zhvillohen.
Qytetarët theksojnë se me ndërtimet e reja, në qytet po dëmtohen hapësirat e gjelbërta, të cilët përvetësohen nga investitorë duke mos lënë asnjë hapësirë jeshile apo parqe. Në Tetovë, dëmtime të këtilla ka gjithandej, sidomos në pjesët ku janë ndërtuar ndërtesa të mëdha. Kjo edhe viteve të kaluara, sipas ekspertëve ishte një ndër arsyet kryesore të ndotjes për shkak të mos qarkullimit të ajrit.
Nga Komuna e Tetovës thonë se hapësirat e gjelbërta do tu kthehen qytetarëve. “NPK Tetova-Tetovë, do të dalë në terren, do të inspektojë dëmtimet dhe në bashkëpunim me investitorët të cilët ndërtojnë në atë pjesë, do të kthehen hapësirat e gjelbërta. Në Tetovë kemi diku rreth 41.123 metër katror sipërfaqe të gjelbra publike, por po ballafaqohemi me një problem. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se uzurpohen në mënyrë të paskrupullt hapësirat publike, mirëpo tendenca jonë edhe si komunë edhe si ndërmarrje është që ata sipërfaqe ti zhbllokojmë dhe ti kthejmë tek qytetarët”, thonë nga pushteti lokal në Tetovë.
Në qytetin e Tetovës, i cili tashmë është shndërruar në qytet-beton, nuk respektohet as në minimum hapësira e gjelbërt e cila sipas standardeve evropiane, është që për kokë banori të ketë 16 metër kub hapësirë të gjelbërt. Në të kaluarën, në Tetovë ka patur shumë parqe të cilët janë shfrytëzuar nga qytetarët, kurse kohëve të fundit ka mbetur vetëm ai pranë Xhamisë së Larme, ndërsa së fundi është rregulluar edhe parku afër stacionit të autobusëve.
Pjesa dërmuese e hapësirave të lira të cilët kanë qenë me gjelbërim janë uzurpuar dhe në ato vende janë bërë ndërtime. Nga NPK-ja, krahas kësaj thonë se për më shumë pastërti vendosin edhe shporta, por ato dëmtohen. “Shpeshherë kalimtarë të rastit dëmtojnë shportat dhe të njëjtat mund të them se janë në gjendje të mjerueshme. Prandaj, në këtë drejtim duhet edhe një vetëdije më e lartë e qytetarëve që të mos i dëmtojnë ato, sepse bashkërisht mund të kontribuojmë për një ambient më të pastër në qytetin e Tetovës”, thonë nga kjo ndërmarrje. Tetova që nga viti 1990 është kthyer në një qendër në Maqedoninë Perëndimore, si në aspektin tregtar, ashtu edhe në aspekte të tjera, ngase pas hapjes së dy universiteteve, dukshëm qyteti është zgjeruar, numri i banorëve është rritur, ndërsa gjithnjë e më pak ka hapësira të gjelbërta. (koha.mk)