Nga Sektori për arsim në Tetovë thonë se numri i semimaturantëve në Tetovë dhe rrethinë që janë duke e përfunduar arsimin fillor është 2050
Urim HASIPI
Tetovë, 6 qershor – Sivjet në shkollat e mesme të Tetovës janë paraparë të pranohen 1900 nxënës në 107 paralele. Sipas konkursit, çdo paralele të ketë nga 34 nxënës. Konkursi është shpallur prej në mars ndërsa nga 16 dhe 17 qershor fillojnë regjistrimet në shkollat e mesme, dhe do të përfundojnë në korrik. Regjistrimet do të bëhen në mënyrë fizike dhe jo online, dhe me shumë interesim ka në mjekësi dhe në drejtimet e gjimnazit. Ky interesim përsëritet gjithmonë, theksoi përgjegjësi për veprimtari publike, Ahmet Qazimi. Gjithashtu, ai potencoi se në Tetovë janë të kompletuar të gjithë profilet arsimore, që do të thotë nxënësit nuk kanë nevojë të drejtohen në ndonjë komunë tjetër. Ai tha se ajo qe është risi këtë vit, është një program që kemi me odën ekonomike të Gjermanisë me programe sipas modelit gjerman dhe me disa kompani gjermane programe (Dual) në shkollën e mesme profesionale teknike, drejtimi makineri. Në Tetovë momentalisht janë 7 shkolla të mesme, të cilat pranojnë numër të mjaftueshëm të semimaturantëve.
Viteve të fundit, fokusi i Sektorit të arsimit në Tetovës, por edhe i Komunës ka qenë që nxënësit sa më shumë të orientohen në shkollat profesionale, respektivisht në shkollën e mesme të bujqësisë dhe shkollën e mesme tekstile. Por edhe krahas shumë aktiviteteve që nxënësit sa më shumë të orientohen në drejtime profesionale, megjithatë interesimi më i madh i nxënësve është që të regjistrohen në gjimnaz dhe në mjekësi, ku zakonisht në afatin e parë plotësohet numri menjëherë me semimaturantë. Nga Sektori për arsim në Tetovë thonë se numri i semimaturantëve në Tetovë dhe rrethinë që janë duke e përfunduar arsimin fillor është 2050.
Po ashtu Qazimi është shprehur se pandemia është një sfidë me të cilën po përballet i gjithë globi, dhe se nga dita e parë që është bërë ndërprerja e mësimit kanë filluar me mesim online. Ai theksoi se Komuna e Tetovës ishte komuna e parë që filloi në mënyre sistematike të realizojë mësimin online. Po ashtu theksoi se javën e kaluar janë montuar dezinfektues që çdo kush që të hyje në shkollë të jetë i dezinfektuar, sepse situata është e tillë. Më pas ai shtoi se tani janë duke punuar në ngritjen e cilësisë së mësimdhënies. “Bëjmë përgatitje se si do të veprojmë nëse do kemi situatë sfiduese siç ishte në tre muajt paraprak. Ajo që ne shpresojmë është që situata të përfundojë sa më shpejt dhe nxënësit të kthehen në bankat e tyre shkollore, dhe të kthehet normaliteti në procesin edukativ”, tha Qazimi.
Nga 1 qershori kanë filluar regjistrimet e fëmijëve në klasë të parë në shkollat fillore të Tetovës. Në Tetovë, 12 shkollat fillore në qytet dhe në fshatrat e Komunës së Tetovës do të pranojnë rreth 1200 fëmijë në klasë të parë. Shkollat fillore të Tetovës tashmë i kanë marrë masat për pranim të nxënësve. Ashtu si do të jenë rekomandimet e autoriteteve qendrore për të filluar vitin shkollor nga Komuna e Tetovës thonë se do të veprojnë, por kanë nënvizuar faktin se kanë bërë të gjitha dezinfektimet e objekteve shkollore, bankave dhe karrigeve por edhe pajisjeve tjera shkollore. (koha.mk)