Urim HASIPI
Tetovë, 4 tetor – Një pjesë e Qendrës sportive në Tetovë të lë përshtypjen e një vendi të braktisur prej kohësh. Për çdo ditë shihen të moshuarit me nipërit e tyre, të cilët shprehen se, fëmijët më shumë lëndohen nga hekurat, ndërkohë që shpeshherë iu ndodh të shkelin edhe mbi pelena fëmijësh të hedhura, shkruan gazeta KOHA. Në këtë qendër mungon pastërtia, nuk ka vende për rekreim, nuk ka ulëse, ndërsa krahas stadiumit i cili disa vite më parë u ndërtua, hapësirat tjera janë të parregulluara. Mungojnë shtigjet për këmbësorë, mungon gjelbërimi, ndërsa e vetmja gjë që funksionon është një stadium i vogël, por edhe ai me asfalt të prishur. Që nga 24 shkurti i viti 2014, Qeveria vendosi që objektet me karakter sportive të kalojnë në menaxhim të Komunës së Tetovës.
Në vendimin e Qeverisë janë parashikuar kushtet ku Komuna e Tetovës mund të ndërtojë partneritet publiko privat ku parashihet kushtet që investimi të fillojë brenda dy viteve dhe investimi të përfundojë në afat prej 10 viteve, por investimi të mos jetë më i vogël se 10 milionë euro kurse garancia bankare të jetë prej 10 deri në 15 për qind. Me këto objekte gati se 9 vite menaxhon një kompani private, ndërsa pritet që të arrihet marrëveshje me koncesionerin dhe eventualisht të prishet kontrata. Por kjo vetëm pas zgjedhjeve. Qendra Sportive në Tetovë si pjesë e vetme për rekreacion dhe sport në qytetin e Tetovës pothuajse është lënë në harresë, ndërsa krahas sallës që është në funksion, pjesët tjera janë të amortizuara. Përndryshe, të gjithë kandidatët për kryetar komune në Tetovë, pa dallim se nga cila parti kanë garuar në zgjedhjet kanë premtuar që do ta rregullojnë, por e njëjta është lënë në harresë. Aktualisht funksionon një park rekreativ dhe një fushë për futboll, kurse salla sportive është jashtë funksionimit vite me radhë. Dy vite më parë, disa të rinj të Tetovës kishin inicuar nismën me moto ”Ultimatum deri te Komuna e Tetovës për qendrën sportive”, ndërkaq kanë kërkuar që sa më shpejtë të merren masa për rekonstruktimin e saj. Banorët e Tetovës, kanë kërkuar nga Ndërmarrja publike komunale, që së paku ta pastrojë më shpesh këtë park, për të parandaluar përhapjen e ndonjë infeksioni nga papastërtitë. “Nuk ka asgjë në rregull siç e shihni, s’ka çka të diskutohet, krejt katastrofë. Sa bukur ishte më parë tash është në gjendje katastrofe. Ka vetëm një park privat, s`mund t’i nxjerrësh as fëmijët nga papastërtia e madhe. Asnjë kriter nuk ka,për t’i nxjerr fëmijët, por s`kemi ku t’i çojmë. Të paktën ta pastrojnë, të mbajnë njëfarë rendi, t’i ngjajë qytetit, të ketë një vend ku do lozin fëmijët së paku ajo që është gjëja më e shenjtë e njeriut për fëmijët” thotë Bajarami një banorë i Tetovës. Ndryshe, disa herë shoqatat joqeveritare kanë kërkuar nga autoritetet e komunës që të rregullohet kjo hapësirë. Edhe pse disa herë është paralajmëruar se qendra sportive në Tetovë do të rregullohet dhe do të merr pamjen e duhur e cila do të ishte një qendër me plotë kuptimin e fjalës, megjithatë e njëjta vijon të jetë jo tërheqëse dhe në gjendje të mjerueshme. (koha.mk)