Tetovë, 30 prill – Sektori i punëve të brendshme Tetove ka realizuar aksion kontrollues për gjendjen e autobusëve dhe taksi veturave të cilët bartin udhëtarë në Tetovë dhe rajonin e Pollogut. Gjatë kontrollimeve nga 40 automjete të kontrolluara tek 21 janë konstatuar defekte, njofton Koha. 13 automjete kanë qenë me frena të prishura, 4 nuk kishin realizuar kontrollim teknik, 2 me regjistrimin të skaduar. Për shkak të këtyre mungesave, policia menjëherë ka larguar nga komunikacioni 15 automjete.
Hiç më e mirë nuk është gjendja as në Gostivar. Aty janë kontrolluar 21 automjete të sektorit publik, ku janë hasur dy automjete me frena të prishura, tre me defekte tjera, 4 pa kontrollim teknik, ndërsa një pa regjistrim.
“Këto kontrolle dhe të ngjashme në vazhdimësi do të realizohen në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit edhe në të ardhmen. Kjo bëhet me qëllim që të largojmë nga qarkullimi automjetet që paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve tanë” ka thënë zëdhënësi i SPB Tetovë, Marjan Josifovski.