Siguria në magjistralen Tetovë-Gostivar është në nivelin më të ulët. Vite me radhë kësaj magjistrale nuk i kushtohet rëndësi dhe e njëjta është lënë pas dore dhe pa asnjë investim. Autostrada Gostivar-Tetovë-Shkup edhe në këtë periudhë vazhdon të jetë e rrezikshme për vozitësit e automjeteve që shfrytëzojnë të njëjtën
Urim HASIPI
Tetovë, 18 nëntor – Autostrada Tetovë-Gostivar është ndërtuar para 20 vitesh. Ndonëse e mban epitetin e autostradës, megjithatë është në kategorinë e rrugëve të shpejta për të cilën vozitësit paguajnë në dy pika pagesore nga 30 denarë për një autostradë rreth 22 kilometra. Por, edhe krahas pagesës, megjithatë e njëjta është shumë e pasigurt. Kjo autostradë në njërin drejtim ka dy korsi, por e tëra është me gropa dhe çarje, shkruan gazeta KOHA.
Valentin Taseski, i cili në të kaluarën ka qenë inxhinier mbikëqyrës i kësaj rruge, thotë se shumë rrallë janë bërë ndërhyrje për mirëmbajtje. “Autostrada është bërë diku në vitin 1997/98 dhe prej atëherë shumë rrallë janë bërë sanime. Sanimi i gropave pothuajse nuk është bërë, prandaj edhe kemi një situatë të këtillë. Gropat dhe dëmtimet në këtë autostradë vërehen në pjesën nga Zherovjani për në Gostivar dhe në anën tjetër nga Zherovjani për në Tetovë” pohon Taseski.
Situata e këtillë në të cilën është kjo autostradë është pasoja e mosmirëmbajtjes së të njëjtës, thotë ai. “Për shkak të mosmirëmbajtjes dhe lënies padore, pasi që është në kategorinë e rrugës së shpejtë dhe baza e saj është dimensionuar keq dhe në shumë vende ka rënie të asfaltit. Kjo më së shumti vërehet kur ka reshje të shiut dhe uji grumbullohet nëpër këto gropa që janë të thella nga 3 deri në 4 centimetra”, deklaroi Taseski.
Për gjendjen e rëndë të kësaj autostrade janë të vetëdijshëm edhe institucionet përgjegjëse në shtet. Kohë më parë, drejtori i ndërmarrjes për rrugë shtetërore, Zoran Kitanov paralajmëroi se do të fillojë përpunimi i projektit me të cilin do të parashihet rikonstruimi dhe zgjerimi i autostradës Tetovë-Gostivar. Ai tha se janë edhe duke kërkuar fonde për realizimin e punëve. Nga dy korsi sa ka tash, kjo autostradë pritet që të ketë tre korsi dhe kjo është paraparë edhe në projektin e propozuar nga fakulteti i ndërtimtarisë.
“Kjo autostradë e ka bërë të veten. Pasi që tashmë kemi frekuentim më të madh, rruga nuk mund të durojë kaq numër të madh të automjeteve. Fakultetit të ndërtimtarisë i kemi dhënë urdhër për të bërë detyrë projektuese. Korsitë në bazë të projektit mund të jenë 3.75, 3.50 dhe 2.50. Tashmë njërën detyrë projektuese e kemi përpunuar dhe mund të hapim tender për projekt kryesor që do të thotë të krijohet mundësi për sigurimin e mjeteve”, deklaroi Kitanov.
Rikonstruimin e kësaj autostrade e paralajmëroi edhe zëvendëskryeministri Bujar Osmani, i cili nënvizoi se vitin e ardhshëm do të fillojnë punët. Ndryshe, siguria në magjistralen Tetovë –Gostivar është në nivelin më të ulët. Vite me radhë kësaj magjistrale nuk i kushtohet rëndësi dhe e njëjta është lënë pas dore dhe pa asnjë investim. Autostrada Gostivar-Tetovë-Shkup, edhe në këtë periudhë vazhdon të jetë e rrezikshme për vozitësit e automjeteve që shfrytëzojnë të njëjtën. Kjo autostradë vite me radhë është më e dëmtuar në pjesën nga Gostivari për në Tetovë, ku aksidentet pothuajse janë pjesë e përditshme e kronikës së zezë për rajonin e Pollogut. Më shumë aksidente ndodhin edhe gjatë natës, kur në këtë autostradë, përveçse që e njëjta është e dëmtuar, po ashtu qasje kanë edhe kafshët, sidomos qentë endacakë. Nga Policia e Tetovës thonë se brenda vitit ka rreth 100 aksidente që ndodhin në këtë autostradë. (koha.mk)