Kjo në mënyrë të drejtpërdrejtë ka bërë që shumë pronarë të bizneseve të vogla të largojnë punëtorë për shkak të mos pasjes së mundësisë për të mbuluar tërë shpenzimet
Urim HASIPI
Tetovë, 25 nëntor – Kriza e shkaktuar si pasojë e pandemisë Covid 19 ka bërë që në Tetovë dhe rrethinë të rritet numri i personave që kërkojnë punë në Entin për punësim. Aktualisht në evidencën e Agjencisë për Punësim në Tetovë, numri i atyre që presin të punësohen është mbi 17 mijë. Mbyllja e shumë bizneseve, zvogëlimi i volumit të punës, shkurtimi i orarit të punës dhe një sërë faktorë tjerë të shkaktuara si pasojë e kësaj pandemie, ka bërë që edhe shumë qytetarë të drejtohen në Agjencinë për Punësim, me shpresë se do të marrin ndonjë ndihmë që ofron shteti, pas humbjes së vendeve të punës. Kohëve të fundit, rritja e numrit të personave të papunë i dedikohet edhe masave që ka ndërmarrë Qeveria për këtë kategori të qytetarëve.
“Kemi rreth 17 mijë persona që janë lajmëruar si të papunë në qendrën tonë. Rritjes së shifrave i ka kontribuar edhe situata me coronavirusin, por edhe për shkak të ndihmës që ofron Qeveria për kategorinë e personave që nuk janë të punësuar. Krahas kësaj, kemi edhe një sërë masash për vetëpunësim dhe benefite tjera, prandaj qytetarët që nuk janë lajmëruar në Agjencinë për Punësim tashmë vijnë dhe paraqiten. Këtë muaj pritet që qytetarët të marrin edhe ndihmën prej 6 mijë denarëve që ndan Qeveria dhe prandaj shumë qytetarë kanë ardhur janë lajmëruar për të shfrytëzuar këtë benefit”, deklaroi Lupço Apostollovski, drejtor i Agjencisë për Punësim në Tetovë.
Para dhjetë viteve, numri i personave të papunë në Tetovë dhe rrethinë sillej rreth 30 mijë. Por, më pas nga ana Qeverisë së atëhershme, personat e papunësuar u ndanë në dy kategori, edhe atë në persona që kërkojnë punë në mënyrë aktive dhe pasive. Në ndërkohë, pandemia e Covid 19 la shumë persona në mes të rrugës, duke humbur vendet e tyre të punës. Më e goditur ishte sfera e ndërtimtarisë, gastronomia dhe bizneset e vogla. Kjo më së shumti u vërejt edhe gjatë verës, kur një pjesë e madhe e bizneseve të vogla dhe të mesme prisnin që me ardhjen e mërgimtarëve, të përmirësohet gjendja ekonomike, por mosardhja e tyre ndikoi rëndë në rimëkëmbjen e këtyre bizneseve. Kjo në mënyrë të drejtpërdrejtë ka bërë që shumë pronarë të bizneseve të vogla të largojnë punëtorë për shkak të mos pasjes së mundësisë për të mbuluar tërë shpenzimet.
Nga kjo agjenci njoftojnë se personat që kanë humbur vendin e punës, kanë patur të drejtë që të marrin dy paga nga ana e Qeverisë. “Këta persona që janë përjashtuar nga puna, kanë patur të drejtë që të shfrytëzojnë këto masa të Qeverisë. Ata kishin të drejtë të shfrytëzojnë dy paga mesatare, që u është paguar atyre si ndihmë në kuadër të masave ekonomike të Qeverisë”, tha Apostollovski. Ndihma prej 6 mijë denarëve, qytetarëve do t`u paguhet drejtpërdrejt në llogarinë e tyre, dhe jo në kartela pagesore. Me këtë rast, pritet që të përfshihen rreth 300 mijë qytetarë. (koha.mk)