Urim HASIPI
Tetovë, 24 dhjetor – Tetova dhe rrethina vazhdon të jetë e ndotur, edhe pse tashmë kombinati Jugohrom nuk punon, shkruan gazeta KOHA. Por, kësaj ndotje të ajrit i ndihmon edhe deponia e egër në hyrje të qytetit të Tetovës. Edhe pse disa herë është theksuar se deponia në këtë vend ka filluar të pastrohet, megjithatë sërish e njëjta krijohet. Autoritetet përgjegjëse nënvizojnë se transporti i mbeturinave gjatë dimrit zhvillohet në kushte më të vështira për në Rusino. Por, ajo që është dukuri që përsëritet vitet me radhë, është ndezja e mbeturinave në këtë deponi në hyrje të Tetovës. Deri më tash, as policia, por as nga Ndërmarrja Publike Komunale Tetova-Tetovë, nuk kanë gjetur “piromanët” e ndezjes së deponisë. Nga NPK-ja e Tetovës thonë se kanë denoncuar në polici rastet e ndezjes së mbeturinave, kurse policia thotë se është në kërkim të autorëve por asgjë konkrete në këtë drejtim. Herën e fundit që janë ndezur mbeturinat ka qenë të enjten mbrëma kur e njëjta është ndezur me qëllim, të paktën kështu thonë nga njësia e zjarrfikësve në Tetovë. “Të enjten është përhapur zjarr në deponinë në hyrje dalje të Tetovës, është intervenuar, por sipas asaj që kemi vërejtur, është e qartë se e njëjta është ndezur me qëllim, pasi që zjarri është përhapur pranë rrugës, me çka nënkuptohet se të njëjtës i është vënë zjarri dhe personi apo personat janë larguar”, tha Uka Aliti nga njësia e zjarrfikësve. Në ndërkohë nga institute për shëndet publik thonë se ndezja e deponive është e rrezikshme dhe është nja nga faktorët kryesorë për nivelin e ndotjes. “Nga ana tjetër, grimcat e pluhurit nga fillimi i vitit gjegjësisht nga 350 ditë të kaluara deri më tani shëndeti i Tetovarëve atakohet në gjithsej 289 ditë, ndërsa në një vit nuk duhet të ketë më shumë se 35 ditë të këtilla, gjegjësisht të ndotura. Trafiku i dendur, urbanizmi i papërshtatshëm, aktivitetet ndërtimore, dhe ndezja e deponive. Kjo e fundit është e rrezikshme për shëndetin e qytetarëve sepse nuk dihet se çka digjet tek mbeturinat apo çka hidhet prandaj shpesh kemi edhe erë të rëndë që kundërmon në qytet” ,thonë nga Instituti për Shëndet Publik në Tetovë, prej nga nënvizojnë se këta janë shkaqet e ndotjes alarmante të ajrit në Tetovë. Nga ky Institut rekomandojnë shmangie të lëvizjes në rrugë të frekuentuara të qytetit, dhe qytetarët të mbajnë maskë medicinave. Nga fillimi i muajit dhjetor, nga matjet që realizohen çdo ditë rezulton se grimcat PM10 janë pesë herë prezent më shumë se nga ajo e lejuara, që janë shumë të dëmshme për shëndetin. “Secili qytetarë është i obliguar që të japë kontributin e tij në drejtim të zvogëlimit të ndotjes së ajrit, më shumë për atë se ndotja e ajrit direkt ndikon në shëndetin e tij. Të mos shfrytëzohen automjetet pa nevojë, të shmanget ndezja e mbeturinave”, thonë nga Qendra për Shëndet Publik në Tetovë. Por, krahas kësaj, ndotjes i ndihmon në masë edhe djegia e kontejnerëve që është dukuri e zakonshme në Tetovë. Nga ndërmarrja Publike Komunale Tetova – Tetovë, nënvizojnë se djegia e kontejnerëve u kushton shumë pasi që në disa pjesë të qytetit të Tetovës janë vendosur kontejner plastike. “Ndezja e kontejnerëve është një nga dukuritë e cila më shumë i kushton ndërmarrjes sonë. Dëmet janë të mëdha, pasi që brenda vitit rreth 80 kontejnerë përfshihen nga zjarri. Një kontejner i plastikës kushton 18 mijë denarë, ndërsa 80 kontejnerët re djegur është një shumë e madhe e cila mbulohet me buxhet vetanak. Për këtë askush nuk merr përgjegjësi, kurse dëmin e pësojmë ne si ndërmarrje. Gjatë kësaj periudhe kemi porositur edhe 150 kontejnerë, gjysma janë sjellë, ndërsa gjysma tjetër do të vijë gjatë javës së ardhshme. Krahas kësaj, kjo ndikon edhe në ndotjen e qytetit”,deklaroi drejtori i kësaj ndërmarrje, Xhelal Ceka. Kështu, të gjitha tentimet për të pasur ajër të pastër në Tetovë tashmë kanë dështuar, ndonëse niveli nuk është në përmasa, siç ka qenë, por ajri vazhdon të jetë i ndotur disa herë më shumë se nga niveli i lejuar.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.