Nazmi Dauti, anëtarë i komisionit regjistrues numër 32 që përfshinë këta dy komuna, thekson se procesi i regjistrimit edhe përkundër sfidave të shumta vazhdon të realizohet. “Procesi i regjistrimit vazhdon edhe përskaj faktit që brenda ditës shfaqen probleme të vogla, mirëpo ky problem nuk zgjat shumë dhe regjistruesit vazhdojnë me punën e tyre”
Urim HASIPI
Tetovë, 23 shtator – Në rajonin e Komunës së Tetovës dhe të Bogovinës vijon procesi i regjistrimit të popullsisë dhe amvisërive. Probleme ka me sistemin por ato janë të shkurtra, thonë nga Enti Shtetëror për Statistikë, njësia në Tetovë. Nazmi Dauti, anëtarë i komisionit regjistrues numër 32 që përfshinë këta dy komuna, thekson se procesi i regjistrimit edhe përkundër sfidave të shumta vazhdon të realizohet. “Procesi i regjistrimit vazhdon edhe përskaj faktit që brenda ditës shfaqen probleme të vogla, mirëpo ky problem nuk zgjat shumë dhe regjistruesit vazhdojnë me punën e tyre. Nga gjithsej 381 rrethe regjistruese që i kemi, 150 rrethe janë përmbyllur, 75 rrethe janë kah përfundimi dhe regjistruesit që janë në teren, presim që pas përfundimit të fillojnë edhe në pjesë tjera.
Në terren janë 190 regjistrues. Në komisionin regjistrues numër 32 që përfshinë Tetovën dhe Bogovinën deri më tani janë regjistruar 56 mijë qytetarë. Problemet që i kishim në fillim ku katër ditë nuk mund të kryhej regjistrimi në teren tashmë janë eliminuar. Problemet tjera që shfaqen janë momentale dhe tejkalohen menjëherë dhe procesi vazhdon”, deklaroi Nazmi Dauti, anëtarë i komisionit regjistrues numër 32. Procesi i regjistrimit të popullsisë në komunën e Zhelinës dhe Bërvenicës zhvillohet pa probleme të theksuara, thonë nga Komisioni Rajonal Statistikor që është përgjegjës për realizimin e këtij operacioni statistikor në këto dy komuna të Pollogut.
“Procesi i regjistrimit në komunën e Zhelinës dhe Bërvenicës rrjedh pa probleme, nuk ka patur probleme të natyrave që do të ndikonin në ndërprerjen e këtij procesi. Në teren kemi rreth 50 regjistrues. Kemi mungesë të regjistruesve sepse interesimi në konkursin për regjistrues ka qenë i vogël, apo 50 për qind e kapaciteteve të nevojshme për të kryer këtë proces”, thotë Jasin Shaqiri, anëtar i komisionit regjistrues për komunën e Zhelinës dhe Bërvenicës. Deri më 19 shtator sipas të dhënave që disponon Komisioni Rajonal Statistikor në këto dy komuna janë regjistruar mbi 16 mijë qytetarë dhe ky numër nga dita në ditë rritet sepse çdo ditë regjistruesit janë në teren dhe të dhënat azhurnohen. Komuna e Zhelinës dhe Bërvenicës bëjnë pjesë në komisionin regjistrues numër 34, ku ka gjithsej 118 rrethe regjistruese. Shaqiri, nënvizon se me këtë numër të regjistruesve është shumë problem që të arrihet që në kuadër të afatit të përcaktuar të përmbyllet me sukses regjistrimi në këta dy komuna sepse ka numër të vogël të regjistruesve.
“Nga ajo që mund të them, apo janë për të cekur, janë tre rastet në Bërvenicë dhe Zhelinë ku nuk janë pranuar regjistruesit, pra kanë refuzuar që të regjistrohen. Ne kemi dalë në teren dhe kemi biseduar me ata qytetarë, janë tejkaluar paqartësitë dhe regjistrimi ka vijuar pa probleme”, deklaroi Jasin Shaqiri, anëtar i komisionit regjistrues për komunën e Zhelinës dhe Bërvenicës. (koha.mk)