Tetovë, 16 maj – Gjatë këtyre katër muaj e gjysmë të këtij viti që kanë kaluar, në rajonin e Tetovës janë zbuluar dhe në mënyrë adekuate janë sanksionuar 145 raste të mos shfrytëzimit të rripit të sigurimit. Sipas policisë, 50 nga këto shkelës kanë marrë fletëpagesa të detyrueshme për kundërvajtje, kurse 95 prej tyre kanë marrë vërejtje me shkrim, shkruan gazeta KOHA.
“Gjatë vitit të kaluar 2018-të, numri i përgjithshëm i shkeljeve që kanë të bëjnë me rripin e sigurimit është në 377 raste. Prej këtyre 214 kanë qenë të sanksionuar me fletëpagesa të detyrueshme për kundërvajtje, kurse 163 prej shkelësve kanë kaluar me vërejtje me shkrim”, thotë Fatmir Rexhepi, zëdhënësi i Policisë së Tetovës. Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, deri në fund të muajit, krahas detyrimeve tjera, kujdes të veçantë do ti kushtojë rripit të sigurimit por edhe për shpejtësinë me të cilën drejtojnë vozitësit nëpër rrugët e qytetit, autostradë dhe rrugëve regjionale.
Kjo më së tepërmi, për shkak se në rajonin për të cilin bëhet fjalë, pason një periudhë me një intensitet edhe më të lartë të veturave dhe këmborëve në trafik, gjegjësisht gjatë muajve, qershor, korrik dhe gusht. Në rajonin e Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, të mërkurën në periudhën prej ora 11 deri ora 14 në Tetovë dhe prej ora 11 deri ora 18 në Gostivar, është realizuar aksion i përforcuar kontrollues, i shpejtësisë me të cilën lëvizin veturat në vendbanime dhe jashtë tyre. Në Tetovë dhe rrethinë janë zbuluar gjithsej 23 shkelje, prej të cilave 10 në vendbanime dhe 13 jashtë vendbanimeve, numri më i madh prej tyre edhe atë 18, kanë qenë për tejkalim të shpejtësisë. Tejkalimet e konstatuara të shpejtësisë, janë sanksionuar me 17 fletëpagesa të detyrueshme për kundërvajtje, 3 fletëpagesa për kundërvajtje dhe 3 vërejtje me shkrim.
Gjatë kontrollit të kryer në Gostivar dhe rrethinë, gjithsej janë zbuluar 21 shkelje, gjegjësisht tejkalim i shpejtësisë së lejuar maksimale. Numri më i madh i shkeljeve edhe atë 14 kanë qenë për tejkalim prej 30 deri 50 kilometra në orë, 4 shkelje prej 50 deri 70 kilometra në orë dhe 3 mbi 70 kilometra në orë. Shkeljet e konstatuara gjatë këtij kontrolli janë rrumbullakuar me 18 fletëpagesa të detyrueshme për kundërvajtje, 2 fletpagesa për kundërvajtje dhe 1 vërejtje me shkrim. (koha.mk)