Edhe qytetarët e Tetovës edhe shoqatat ekologjike një kohë të gjatë kërkojnë që të vihet në funksion transporti publik pasi që nënvizojnë se në këtë mënyrë do të ulet ndotja në Tetovë si pasojë e numrit të madh të automjeteve
Urim HASIPI
Tetovë, 7 gusht – Edhe pse ishte paralajmëruar se kah mesi i muajit korrik do të përfundojë procedura për furnizim me 5 autobusë për të jetësuar transportin publik në Tetovë megjithatë zgjedhjet e 15 korrikut kanë penguar që kjo procedurë të përmbyllet. Tenderi publik ishte hapur në muajin qershor kurse pritej që të përfundojë në korrik dhe më pas firma që do të përzgjidhej do të furnizonte ndërmarrjen publike Tetova transport me autobusë. Nga Komuna e Tetovës njoftuan se procedura ishte ndërprerë për shkak të zgjedhjeve dhe tashmë aplikimet janë duke u shqyrtuar. “Ende nuk është përzgjedhur firma për furnizim me autobusë për shkak te zgjedhjeve. Tashmë është vazhduar procedura dhe aktualisht janë duke u shqyrtuar aplikimet”, njoftuan nga shërbimi për informim në Komunën e Tetovës. Për të vënë në funksion transportin publik komuna e Tetovës me vendim të këshillit komunal ka themeluar një ndërmarrje Publike e cila do të organizojë transportin brenda në qytet. Dokumentacioni është gati dhe janë tejkaluar pjesa më e madhe e procedurave administrative kurse ka mbetur që pas furnizimit me autobusë të fillohet me punë pasi që janë caktuar edhe pikat e fillimit të autobusëve.
Nga Komuna e Tetovës ende nuk kanë dhënë ndonjë informacion të saktë se sa do të zgjasë procedura për përzgjedhjen e firmës për furnizim me autobusë ekologjik. Mjetet për qëllim ishin siguruar përmes Ministrisë së Financave dhe bëhet fjalë për rreth 1 milion euro. Disa herë edhe shoqatat joqeveritare kanë kërkuar që komuna e Tetovës menjëherë të gjejë zgjidhje për transportin publik, duke rikujtuar se kjo ka qenë edhe një nga premtimet kryesore në zgjedhjet e fundit komunale. Ata krahas kërkesave publike, disa herë edhe në forma të ndryshme kanë protestuar para komunës duke rikujtuar si një dështim për mos jetësimin e transportit publik. Po ashtu edhe partitë opozitare nuk kanë mbetur anash kur bëhet fjalë për këtë problem të komunës së Tetovës.
Komuna e Tetovës nga ana tjetër disa herë vite më parë kishte kërkuar edhe nga Ministria e Transportit që të autobusë për transportin publik, ndërsa pas mos marrjes së përgjigjes pozitive kishte aplikuar në fondet ndërkombëtare me ç`rast edhe kishte fituar grand për këtë qëllim. Kërkesa publikisht i ishte adresuar edhe ish kryeministrit Zoran Zaev në një tribunë në Tetovë por ai kishte thënë se shumë taksistë do të ngelin rrugëve dhe pa punë. Transporti Publik u mungon komunave të Pollogut që nga viti 2005 e këndej pasi që në atë kohe falimentoi ndërmarrja “Polet”. Që atëherë e këndej transporti kryhet nga ana e kompanive private. Edhe qytetarët e Tetovës edhe shoqatat ekologjike një kohë të gjatë kërkojnë që të vihet në funksion transporti publik pasi që nënvizojnë se në këtë mënyrë do të ulet ndotja në Tetovë si pasojë e numrit të madh të automjeteve. (koha.mk)