Urim HASIPI
Tetovë, 11 janar – Tetova ndoshta në të kaluarën kishte një kompani auto-transportuese që organizonte transport publik dhe jo vetëm brenda territorit të Komunës së Tetovës, por edhe komunat rurale. Tashmë dhjetë vite e këndej, kompania “Polet” nuk funksionon dhe praktikisht, tetovarët nga një skaj në skajin tjetër për të kryer ndonjë punë duhet që të përdorin automjetet. Qytetarët theksojnë se transporti publik do të zgjidhte shumë probleme, shkruan gazeta KOHA. “Nuk është normale që një qytet të mos ketë transport urban, sepse qytetarët nuk do të merrnin automjetet, por do të shfrytëzonin transportin, kjo në radhë të parë do të kishte edhe më pak harxhime për vet qytetarët që është aspekti ekonomik, por edhe do të vinte rregull në komunikacion”, thotë Blerim Jashari, qytetarë i Tetovës. Në ndërkohë, nga Komuna e Tetovës arsyetohen se kërkesa për tetë autobus e dërguar në qeveri nuk ka marrë përgjigje konkrete. Por nga komuna shprehin optimizëm se Qeveria e re do të gjejë mundësi që Komunës së Tetovës t’i ndajë autobusë.
“Ndërmarrja për transport publik është themeluar, megjithatë në qeverisjen paraprake – ne nuk gjetëm mirëkuptim për këtë çështje. Kërkesa e Komunës së Tetovës ishte që më saktësisht, ashtu siç ju dhuruan Komunës së Shkupit autobusët urban, të gjendet një kompromis që edhe Komunës së Tetovës së paku ti ndahen tetë autobus, gjë për të cilën nuk arritëm një marrëveshje me Qeverinë. Në vizitat që kemi pasur me kryeministrin e ri të Qeverisë reformatore, Zoran Zaev, shpresat janë mjaft optimiste që çdo kërkesë e komunave dhe jo vetëm e Tetovës, nëqoftëse ofrohet projekt – të mund të plotësohet nga ana e Qeverisë. Ne jemi shumë optimist se gjatë pranverës së këtij viti do të mund të gjendet një modus bashkëpunimi me qëllim të funksionalizimit të ndërmarrjes për transport publik, e cila tashmë është jetike për qytetarët e Tetovës”, deklaroi Armend Fazliu, zëdhënës i Komunës së Tetovës.
Ndërmarrja për transport publik tashmë është themeluar në Këshillin e Komunës së Tetovës, por e njëjta nuk është vënë në funksion. “Ndërmarrja ka kaluar në Këshill, do të thotë procedura e themelimit të ndërmarrjes ka kaluar tashmë në Këshillin e komunës, megjithatë pa mundësinë e makinerike operative, ajo nuk mund të funksionalizohet, gjegjësisht pa autobusët urban ajo nuk mund të vihet në lëvizje. Varianti është që Komuna e Tetovës kur të pajiset me këto tetë autobusë urban, me linja të cilat nuk do të mund që ti mbulojë – të mund të shpallen në prokurim publik dhe me ato linja të menaxhojnë kompanitë nënkontraktuese, rrjedhimisht private, por meqenëse ne shpresojmë se do të kemi kapacitete të mjaftueshme, nuk do të ketë nevojë për një gjë të tillë”, theksoi zëdhënësi Fazliu. Nga ana tjetër, ambientalistët shprehen se mungesa e autobusëve nuk është arsyetim, sepse ka edhe variante tjera për të organizuar transportin publik. Arjanit Xhaferi nga lëvizja “Eco Guerilla” thotë se organizimi i transportit publik efikas do të ishte shumë më i lehtë për qytetarët të cilët nuk do të duhej të merrnin veturat e tyre për të lëvizur nëpër qytet.
“Nuk besoj që Komuna e Tetovës e ka problem të organizojë transportin publik edhe pa ndihmën e Qeverisë, sepse në Ligjin për vetëqeverisje lokale – në kompetencat e komunës parashihet organizimi i transportit publik qoftë ai në pronësi të tërë të komunës, ose në partneritet publiko privat. Besoj se është shumë e lehtë që të organizohet edhe përmes angazhimit të agjencive të shumta turistike të udhëtimeve që ka në Tetovë, e të cilat me siguri se do të ishin të interesuara që të bëhen partner të këtij projekti, mirëpo edhe njëherë mendoj se mungon vullneti dhe paaftësia e tyre për të organizuar trafikun”, deklaroi për KOHA, Xhaferi.
Pikërisht, mungesa e transportit publik ka bërë që shumë qytetarë të përdorin automjetet private edhe për pak punë që kanë në qytet, përderisa i tërë komunikacioni është përqendruar në pjesën qendrore të Tetovës, ku edhe jo rrallë herë ka shumë kaos në komunikacion, por njëkohësisht do të ndikonte edhe në uljen e ndotjes. Përndryshe, zgjidhja e transportit publik mbetet ende vetëm një dëshirë për shkak të aspekteve teknike infrastrukturore ngase shumë rrugë dhe bulevarde janë të ngushta, mos hapja e bulevardeve të reja, mos pasja e pikave të stacioneve ndaluese të autobusëve… prandaj edhe ekziston skepticizëm se për një kohë të gjatë nuk do të zgjidhet problemi i transportit publik. (koha.mk)