Faktori numër një i rritjes së numrit të të infektuarve në Tetovë dhe më gjerë është neglizhimi i masave, grumbullimi i qytetarëve dhe mosmbajtja e maskës dhe distancës
Urim HASIPI
Tetovë, 5 gusht – Përkeqësohet gjendja në rajonin e Tetovës me koronavirusin. Tetova vazhdon të jetë në krye të listës së qyteteve që vazhdimisht shënohet rritje e rasteve me Covid 19. Sipas mjekëve, 26 pacientë janë të shtruar në Spitalin klinik të Tetovës dhe pothuajse të gjithë janë në gjendje të rëndë. “Fatkeqësisht kemi një rritje të numrit të pacientëve edhe pse rreth tre javë ne nuk kishim asnjë pacient të hospitalizuar. Momentalisht kemi 26 pacientë të hospitalizuar, ku vetëm një prej tyre nuk është në terapi me oksigjen. Bëhet fjalë për pacientë që kanë edhe sëmundje tjera, me zemrën, mushkëritë ose probleme me veshkat. Sa i përket moshës, pacientët janë 31 vjeçar, 37 vjeçar dhe të moshës mbi 65 vjeçare”, deklaroi Gëzim Nuredini, koordinator i Covid qendrës në Tetovë.
Sa i përket personave që janë vaksinuar, Nuredini thotë se katër persona janë infektuar me virusin korona disa pas marrjes së dozës së parë, por ka pacientë që kanë marrë të dy dozat, por të njëjtit kanë edhe sëmundje tjera. “Kemi katër pacientë të hospitalizuar që kanë marrë vetëm një dozë të vaksinës, ndërsa një pacient është komplet i vaksinuar. Por këta pacientë kanë edhe sëmundje tjera dhe janë në gjendje të rëndë. Si duket pas përmirësimit të kohës, qytetarët e harruan pandeminë dhe kjo do ta ngarkojë sistemin shëndetësorë, telashe për familjarët e të infektuarve, mund të kemi edhe raste të vdekjeve. Kishim një pacient gjatë ditës së hënë që ndërroi jetë, bëhet fjalë për një 69 vjeçar, i cili kishte sëmundje të rënda dhe nuk mbijetoi” sqaroi Nuredini.
Faktori numër një i rritjes së numrit të të infektuarve në Tetovë dhe më gjerë është neglizhimi i masave, grumbullimi i qytetarëve dhe mosmbajtja e maskës dhe distancës. “Faktori kryesor është se qytetarët duke menduar se është koha e mirë, pandemia mbaroi, nuk mbajnë maskë dhe distancë, ka grupime, ka organizime të ndryshme të ahengjeve familjare. Kemi raste edhe të personave që janë kthyer nga jashtë në vendlindje. Krejt kombinimet i kemi për momentin në Tetovë, edhe pse nuk kemi informacione të sakta se janë të llojit delta apo tjerë, por me siguri në periudhën që pason do të kemi edhe këtë variant në rajonin tonë” tha Gëzim Nuredini, koordinator i Covid qendrës në Tetovë.
Mjekët mendojnë se pritet që në të ardhmen të kemi fluks të madh të të infektuarve, pasi që vetëm gjatë ditës së martë ka patur 64 pacient që kanë qenë në klinikë me simptoma të koronavirusit. Ndërkohë, autoritetet e Spitalit të Tetovës bëjnë me dije se edhe spitali modular është në funksion dhe në të ardhmen nëse paraqitet nevoja i njëjti do të vihet në funksion. Po ashtu, mjekët kanë bërë të ditur se i vetmi variant për mbrojtje nga ky virus është vaksinimi i popullatës.