Tetovë, 12 nëntor – Qyteti i Tetovës vazhdon të ketë pikë të dobët kanalizimin atmosferik. Janë disa rrugë dhe lagje të Tetovës që vazhdimisht vërshohen nga kanalizimi në kohë kur ka reshje të shiut, raporton korrespodenti i gazetës KOHA nga Tetova. Më keq situata paraqitet në dalje të Tetovës, afër ish objektit të Monopolit, ku kanalizimi del në sipërfaqe dhe ujërat vërshojnë në rrugën kryesore për në Shkup. Situatë e njëjtë është edhe në rrugën afër kazermës së qytetit, ku krijohet liqen gjatë vërshimeve. Edhe në këtë pjesë të qytetit kur reshjet e shiut janë intensive, rruga mbulohet me ujë, kurse kjo krijon vështirësi në qarkullimin e automjeteve. Sipas informacioneve që deri më tash i kanë dhënë institucionet përkatëse, tashmë kanalizimi atmosferik në Tetovë është tepër i rënduar për shkak se i njëjti është rregulluar vetëm për numër të shtëpive që ka patur Tetovë në vitet e 90-ta. Tani numri i shtëpive dhe ndërtesave dukshëm është shtuar dhe rrjeti i kanalizimit është i vogël për të absorbuar tërë ato ujëra që derdhen në këtë rrjet prandaj edhe ndodhin vërshimet në disa pjesë.