Urim HASIPI
Tetovë, 10 shkurt – Mbi 1000 qytetarë të Tetovës sërish kanë protestuar para zyrave të EVN-së në Tetovë. Në protestën e tretë me radhë, që mbahet kundër EVN-së, Këshilli protestues ka kërkuar që EVN të merr parasysh kërkesat e tyre. Blerim Fejzuli, para të pranishmëve ka lexuar kërkesat që i janë adresuar EVN-së, ELEM dhe MEPSO-s, ku në mesin e tyre kërkohet që edhe punësimi në EVN të jetë në proporcion me përbërjen etnike të popullatës.
“Të identifikojë saktë keqpërdoruesit dhe mos i penalizojë të gjithë konsumatorët, duke i fryrë faturat e harxhimit të energjisë elektrike, me arsyen se ka humbje apo vjedhje. Të ndërpritet vendosja e orëmatësve në hapësira për këmbësorë pa leje të organeve kompetente, sepse na cenon lëvizjen e sigurt të këmbësorëve dhe orëmatësit që deri tani i ka vendos, t`i largojë sa më shpejt, sepse do të detyrohemi të padisim për kundërvajtje. Të ndërpritet e linjave ajrore nëpër zona dhe në koordinim me pushtetin lokal të marrë masa për eliminimin e linjave ajrore nga zonat urbane se është në kundërshtim me planifikimin urbanistik. Të organizojë qendrat e komunikimit me konsumatorët në raport me numrin e konsumatorëve, ashtu që të mos paraqiten radhë të gjata nëpër pikat e EVN-së. Punësimi i punëtorëve të bëhet në proporcion me popullatën, sepse kemi vështirësi në komunikim. Komunikimi të bëhet në gjuhën e konsumatorit, faturat dhe dokumentet të jenë edhe në gjuhën shqipe”, tha Fejzuli.
Kërkesat tjera të tyre janë: EVN të ulë çmimin njësi për kilovat energji elektrike, pasi që çmimi në bursën e hapur është shumëfish më i lirë që e faturon EVN-ja. ”Të anuloj tarifat industriale, sepse përmes kësaj tarife kryhet selektim subjektiv apo diskriminim për afaristët e vogël apo të mesëm në raport me kompanitë e mëdha. Të mos lejojë që mjetet themelore për distribuim që i paguan vet konsumatori t`i përvetësoj si investim vetenak. Të mos inkasojë taksa për kyçje nga konsumatori 500 euro për njehësorët elektrik pasi një gjë e tillë e ka të ndaluar me ligj. Të ndërpres urgjentisht anulimin e kyçjeve të vjetra, me qëllim të inkasimit për kyçje të reja për objektet ku kryhet rikostruimi”, tha Fejzuli.
Gjatë protestës së të premtes po ashtu janë dorëzuar edhe kërkesat e Këshillit iniciativ të protestave tek zyrtarët e EVN-së. “Kërkesat tona i kemi dorëzuar tek zyrtarët e EVN-së dhe presim që të njëjtat të pranohen dhe miratohen, pasi që janë kërkesa reale që nuk mund të realizohen. Protestat janë për të shprehur revoltën tonë pasi që deri tash kemi qenë në errësirë sa i përket këtyre problemeve jetike, për të gjithë popullatën”, tha Jusuf Memishi, nga Këshilli organizativ i protestave. Ai po ashtu ka drejtuar akuza edhe ndaj politikanëve në zonën zgjedhore numër gjashtë, sepse sipas tij, ata pa dallim partie apo etniteti, asnjëherë nuk janë përkujdesur për kërkesat dhe hallet e popullit. Krahas policisë së rregullt, po ashtu në oborrin ku ndodhen zyrat e EVN-së në Tetovë janë vërejtur forca të mëdha të policisë speciale, të cilët nuk kanë qenë të pranishme gjatë javës së kaluar por kësaj radhe kishin ardhur si përforcim në rast të eskalimit të situatës. Ndryshe, pritet që të hënën në Shkup të realizohet një takim i Këshillit të protestave dhe drejtuesve të EVN-së për të biseduar rreth kërkesave. Nga EVN-ja kanë konfirmuar se kanë pranuar kërkesat e protestuesve. “Deri te Qendra e konsumatorёve u dorёzua kёrkesa zyrtare e Shoqatёs sё elektricistёve shqiptarё “Drita”. Kёrkesa do tё shqyrtohet nga ana jonё dhe do tё veprohet, pёrkatёsisht nё pjesёt qё i pёrkasin punёs dhe kompetencёs sё EVN Maqedoni. Nё pjesёt qё nuk janё nё kompentencёn tonё dhe nuk janё tё adresuara pёr ne, siç janё çmimi i energjisё elektrike, tarifa, pika tarifore janё nё adresё tё trupave rregulativ tё cilёt janё kompetent pёr çёshtjen pёrkatёse”, thuhet në njoftimin me shkrim të EVN-së. Sipas organizatorëve të protestave, nëse nuk gjendet gjuhë e përbashkët, sërish do të ketë protesta.