Tetovë, 2 nëntor – Banorë të Lagjes Teqe në Tetovë kanë protestuar të premten kundër hapjes së bastoreve në këtë lagje. Ata e kanë quajtur këtë dukuri shkatërrimtare për rininë e Tetovës dhe në përgjithësi për qytetin e Tetovës. Organizatorët janë shprehur se kjo lagje ka nevojë më të madhe se sa hapja e bastoreve dhe kazinove. Ata pyetën publikisht përgjegjësit dhe institucionet përkatëse se a e meriton Tetova këtë situate?
Sipas banorëve, Tetova tani njihet si qyteti i drogës, kazinove, bastoreve dhe jo më si qytet i dy universiteteve. Ata kërkojnë urgjentisht largimin nga vendbanimet bastoret sportive dhe kazinotë. Para të pranishmëve fjalim mbajti imami i Xhamisë së lagjes Teqe, Zejnulla Jusufi, i cili tha se Tetova nuk do ta lejojë këtë degjenerim që i bëhet këtij qyteti, qytet ky që ndër vite ka luftuar të keqen dhe ftoi që të gjithë që të luftojnë këta dukuri.
“Po ju pyesë haptazi a e meriton Tetova kështu siç është? A e meriton Tetova të jetë qytet i bastoreve? A e meriton Tetova të jetë qytet i drogës Ju e shihni vetë se Tetova është bërë me keq se çdo qytet tjetër shqiptarë. Në Tetovë prodhohet droga, hapen fabrika për heroinë dhe as kush nuk merë masa për asgjë. Tetovë është bërë si Las Vegasi! Pse bash në Tetovë hapen këto kazino, në qytetin që kemi luftuar dhe jemi persekutuar për të hapë një fakultet”, tha imami i Lagjes Teqe. Përkrahje kësaj proteste dhe këtij shqetësimi i kanë dhënë edhe banorë nga lagje tjera, si dhe nga Lëvizja Antibixhoz. Ata kërkuan të respektohet Ligji që bastoret dhe kazinotë, apo lojërat e fatit të jenë larg qytetit, si dhe larg objekteve shkollore. (koha.mk)