Këtë vit theks i veçantë do t’ju kushtohet investimeve infrastrukturore, të cilat për momentin paraqiten si pasqyrë negative e qytetit.
Urim HASIPI
Tetovë, 4 janar – Viti 2020 jo vetëm për qytetarët por edhe për institucionet ishte shumë i vështirë. Në këtë aspekt ishin pushtetet lokale që kishin shumë vështirësi në realizimin e objektivave të vendosura. Komuna e Tetovës, si një ndër komunat më të mëdha shqiptare në vend, kishte shumë probleme gjatë vitit të kaluar. Këtë e pohon edhe kryetarja e kësaj komune Teuta Arifi, e cila nënvizon se komuna që drejton ajo u përball me shumë probleme.
“Vitin e kaluar do e kisha vlerësuar si shumë të rëndë, sepse u përballëm me një sfidë me përmasa botërore, duke pasur parasysh se humbëm edhe jetë njerëzish, megjithatë duke vërejtur se ishte shumë sfidues në aspekt ekonomik, dua të theksoj se arritëm të mbyllim një projekt mjaft të rëndësishëm për qytetin, pra bëhet fjalë për vazhdimin e bulevardit në rrugën Industriale ku investuam rreth një milion euro. Por, me këtë ne qytetit I siguruam edhe një dalje”, shprehet Arifi. Por edhe përskaj kësaj, ajo nënvizon faktin se është kompletuar në letër tërë ndërmarrja për transport publik në Tetovë. “Arritëm të përfundojmë procesin për transportin publik. Kjo nënkupton edhe nënshkrimin e marrëveshjes për furnizim me autobus, arritëm që të regjistrojmë ndërmarrjen dhe me tërë këta aktivitete pranvera do të na gjejë me transport funksional në qytetin e Tetovës”, thekson Arifi.
Përveç kësaj, ajo ka theksuar se gjatë vitit që e lamë pas, është realizuar edhe projekti për furnizim me ujë të pijshëm për lagjen 146, lagjen mbi Arabati Baba Teqe e cila një kohë të gjatë përballet me mungesë të ujit. “Krahas kësaj, ne nëpër disa lagje tjera poashtu kemi bërë intervenime, dhe duke pasur parasysh se sa ka qenë i rëndë dhe i vështirë në aspektin ekonomik ky vit, kemi bërë shumë për qytetin e Tetovës. Dua të them se poashtu kemi kaluar një buxhet edhe për vitin e ardhshëm i cili do të na mundësojë që të bëjmë edhe shumë punë tjera”, shprehet ajo. Por, një ndër punët kryesore që ka mbetur për vitin e ardhshëm është hapja e bulevardit të shumëpërfolur “Bllagoja Toska”. Sipas Arifit, mjetet janë siguruar tashmë për këtë projekt.
“Ne kemi siguruar mjete për shpronësimin e këtij bulevardi, por ajo që është më kryesore është se kemi siguruar mjete edhe për ndërtimin e të njëjtit. Projekt tjetër është edhe vazhdimin i rrugës në Banjat e Tetovës, kemi përfunduar procedurat dhe kemi siguruar mjetet përmes Bankës Botërore për rrugën Gjoce Stojçevski dhe Goce Dellçev, pra nga kthesa për në rrugën e Ilindenit e deri tek spitali dhe në pranverë do të fillojmë me realizimin e këtyre projekteve në Tetovë”, ka deklaruar kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi. Ndërkohë, për këtë vit (2021) janë paraparë 30 milionë euro buxhet nga ana e komunës së Tetovës dhe sipas paralajmërimeve, theks i veçantë do t’ju kushtohet investimeve infrastrukturore, të cilat për momentin paraqiten si pasqyrë negative e qytetit. (koha.mk)