Omer XHAFERI
Shkup, 26 gusht – Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, për vitin 2018-të ka paraparë mjete buxhetore për ndërtimin e një çerdhe në qytetin e Tetovës. Këtë lajm për gaztën KOHA e ka konfirmuar vetë ministrja e MPPS-së, Mila Carovska, e cila një ditë më parë, është takuar me drejtoren e çerdhes së Tetovës, e cila e ka informuar për lokacionin dhe planin projektues të cilin ata e kanë përgatitur. “Kërkesa për ndërtimin e çerdhes së re në Komunën e Tetovës është e proceduar. Të enjten jam takuar me drejtoren e çerdhes së Tetovës. Në këtë takim u arrit marrëveshja që 24 prej qendrave të zhvillimit të përkrahura nga UNICEFI, dy funksionojnë në mjediset rurale në Tetovë, dhe një çerdhe e cila gjendet afër një shkolle, për të cilën ekziston lokacioni, plani projektues dhe gjithçka tjetër që është e nevojshme për ndërtimin e kësaj çerdhe. Ne si ministri, për vitin 2018-të kemi paraparë mjete për ndërtimin e kësaj çerdheje”, tha ministrja Carovska. Mes tjerash, ajo tha se buxheti i ministrisë në pjesën e ndërtimit të çerdheve të reja për një muaj e më tepër është duke bërë koordinime me bashkëqeverisjet lokale. Qëllimi i këtij koordinimi me bashkëqeverisjet lokalet, sipas ministres Milla Carovska, vërteton faktin se në shumë komuna ka mungesë të çerdheve, gjegjësisht në këtë mënyrë ato i shohin mundësitë e investimeve në vendet e duhura. “Deri më sot, kjo mënyrë e përgatitjes është bërë në formë paushalle. Ashtu siç ju ka ardhur më lehtë, ashtu edhe kanë vepruar, gjegjësisht shumica e investimeve në çerdhe ka ardhur në bazë të presioneve të prindërve. Ndërkohë, nëse ne lejojmë që prindërit të na bëjnë presion, atëherë jemi vonuar shumë. Për momentin jemi duke përmirësuar shumë gabime nga qeverisja e kaluar në këtë ministri! Sinqerisht, çerdhet përballen me mungesë të madhe të kapaciteteve kadrovike dhe këtë problematike ne mundohemi ta zgjidhim”, tha ministrja Carovska. Nga kjo ministri po ashtu kanë theksuar se disponojnë me një plan rreth asaj se sa çerdhe do të ndërtohen në vitin 2018-të, mirëpo detaje më të hollësishme nuk mund të publikohen derisa të përfundojnë takimet me Ministrinë e Financave. Kohë më parë, MPPS u kërkoi të gjitha komunave të dorëzojnë kërkesë në ministri, së bashku me projekte për ndërtimin e çerdheve të reja për vitin e ardhshëm. Sidoqoftë, lista përfundimtare e çerdheve të reja që do të ndërtohen në 2018, siç thonë nga MPPS, do të dihet se shpejti. Ndryshe, rritja e natalitetit në komunat shqiptare siç janë Çairi, Saraji, Studeniçani, Likova, përfshi edhe Komunën e Tetovës, ka ndikuar që qytetarët të përballen me probleme të natyrave të ndryshme, në këtë rast edhe mungesën e çerdheve. Autoritetet e Komunës së Tetovës, kur flasin për këtë problematikë, thonë se vite me radhë ballafaqohen me një fluks të madh të prindërve të interesuar që të dërgojnë fëmijët në kopshtet ekzistuese në Tetovë. Deri më tash, siç thonë ata, rreth 820 prindër kanë parashtruar kërkesë për të sjellë fëmijët në kopshte për fëmijë në Tetovë, ndërsa kurse kapacitetet e çerdheve ekzistuese në këto komuna janë për 600 fëmijë. Me vendim të Komunës së Tetovës, është vendosur që këtë vit – prioritet gjatë regjistrimit në çerdhe të kenë fëmijët nga qyteti dhe territori i Komunës së Tetovës dhe më pas edhe nga komunat rurale.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.