Shoqata “Nëna dhe Fëmija” më 20 janar të vitit 2018 ka pasur edhe një takim me përfaqësuesit e zyrës së ambientit jetësor, të cilët kanë premtuar se komuna do të dalë me një plan të ri, i cili do të jetë më i përshtatshëm për qytetin e Tetovës. Edhe pse kanë kaluar 11 muaj nga ky takim, asnjë plan konkret nuk është prezantuar
Urim HASIPI
Tetovë, 12 dhjetor – Problemi me ndotjen sërish është rishfaqur në Tetovë. Shumë organizata dhe nxënës të shkollave fillore janë ankuar kohëve të fundit se rishfaqja e ndotjes është serioze dhe alarmante, ndërsa i apelojnë Komunës së Tetovës që urgjentisht të zbatojë masat kundër ndotjes. Shoqata “Nëna dhe Fëmija” ka dalë me një reagim ku nënvizon se Komuna nuk ka dhënë mjaftueshëm përgjigje lidhur me masat kundër ndotjes, shkruan gazeta KOHA.
“’Nëna dhe Fëmija’ nëpërmjet ligjit për qasje të lirë deri tek informatat me karakter publik, thuajse një vit kërkon nga Komuna e Tetovës qasje te plani lokal aksionar ekologjik i Komunës, por edhe pse kryetarja Teuta Arifi ka premtuar se do të jetë transparente, Komuna ka kthyer përgjigje sipërfaqësore dhe jo atë që ata e kemi kërkuar”, ankohen në këtë organizatë, ndërsa shprehen se edhe krahas premtimeve për të patur një plan më të madh kundër ndotjes, megjithatë deri më tash nuk ka asgjë konkrete.
“Shoqata ‘Nëna dhe Fëmija’ më 20 janar të vitit 2018 ka pasur edhe një takim me përfaqësuesit e zyrës së ambientit jetësor, të cilët kanë premtuar se komuna do të dalë me një plan të ri, i cili do të jetë më i përshtatshëm për qytetin e Tetovës. Edhe pse kanë kaluar 11 muaj nga ky takim, asnjë plan konkret nuk është prezantuar. Si shoqatë në vazhdimësi kemi vazhduar të kërkojmë në Komunën e Tetovës, gjithmonë në bazë të Ligjit për qasje të lirë deri tek informatat me karakter publik, plani për ndotjen, por akoma një përgjigje nuk e kemi”, thuhet në reagimin e Shoqatës “Nëna dhe Fëmija”.
Në ndërkohë, nga Komuna e Tetovës thonë se janë shqiptuar 11 vërejtje ndaj subjekteve juridike nga ana e inspektorëve komunal. “Tetova tashmë nuk e ka epitetin si qytet më i ndotur apo nuk ndodhet në vendet e para. Kjo është edhe falë mbylljes së kombinatit Jugohrom pas një presioni të komunës së Tetovës dhe shoqërisë civile. Në bazë të informacioneve, Tetova është në vendin e 12 për sa i përket ndotjes prandaj edhe kjo është për tu vlerësuar. Po ashtu, inspektorati komunal ka shqiptuar 11 vërejtje ndaj subjekteve juridike që kanë ndotur ambientin. Nëse sërish këta subjekte kapen, atëherë do të ketë edhe dënim” thotë Armend Fazliu, zëdhënës i Komunës së Tetovës. Më tej, ai njofton se në seancën e radhës të Këshillit të Komunës së Tetovës do të sillen edhe vendime tjera që kanë të bëjnë me mbrojtjen e ambientit.
“Para së gjithash, parashihet të ketë ndalesa për automjetet e rënda që frekuentojnë pjesën qendrore, shpallja e disa rrugëve njëkahëshe, spërkatja e rrugëve dhe masa të tjera, të cilët shpresoj se do të respektohen dhe do të sillen gjatë seancës së radhës”, tha Fazliu. Ndërkaq, nga komuna shpresojnë se sistemi i gazifikimit do të ketë efekt pozitiv në përmirësimin e cilësisë së ajrit. “Shpresojmë që shumë shpejt edhe projekti për gazifikimin e qytetit të Tetovës do të arrijë në Tetovë dhe kjo do të ketë ndikim të drejtpërdrejt në uljen e ndotjes së ambientit. Fillimisht, në rrjetin e gazifikimit do të përfshihen institucionet publike dhe shtetërore, siç janë komuna, çerdhet, shkollat e kështu me radhë”, deklaroi Fazliu. Përndryshe, gati se një muaj, nxënës të shkollave fillore kanë protestuar nëpër rrugët e Tetovës dhe para Komunës për të shprehur revoltën e tyre ndaj ndotjes në qytetin e Tetovës. (koha.mk)