Qyteti i Tetovës ka një rrjet të vjetër të ujësjellësit kryesor më shumë se gjysmë shekulli, dhe defektet në pjesë të ndryshme të qytetit të Tetovës janë të përditshme në të gjitha periudhat e vitit, madje edhe gjatë dimrit
Urim HASIPI
Tetovë, 5 shkurt – Në shumë lagje të Tetovës apo në rrugë kryesore ka shumë defektet në rrjetin e ujësjellësit të Tetovës, dhe tashmë këto defekte janë shpeshtuar. Për pasojë ka ndërprerje të shpeshta të furnizimit me ujë në shumë lagje të Tetovës. Këtë e konfirmojnë edhe në njësinë e ujësjellësit dhe kanalizimit në Tetovë. Kësisoj një pjesë e madhe e qytetit të Tetovës ka mbetur pa ujë të pijshëm, për shkak të defektit të njërit prej gypit kryesor të ujësjellësit. Defekti ka ndodhur në rrugën e Ilindenit, ndërsa pa ujë kanë mbetur banorët që furnizohen nga qendra në drejtim të stadiumit dhe kazermës.“Për shkak të një defekti në rrjetin kryesor të ujësjellësit f-125 në rrugën e Ilindenit do të ketë ndërprerje të ujit për një pjesë të qytetarëve edhe atë prej orës 10:00 deri në përfundim të defektit. Punëtorë të ndërmarrjes nga Njësia “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” jenë te angazhuar maksimalisht për një sanim më të shpejtë dhe më efikas të defektit”, njoftuan në mëngjes nga Ndërmarrja Publike Komunale Tetova-Tetovë.
Pas katër orëve punë intensive, defekti është sanuar dhe më pas ka filluar edhe furnizimi normal me ujë të pijshëm për ato që pjesë që kishin mungesë. Ndryshe, qyteti i Tetovës ka një rrjet të vjetër të ujësjellësit kryesor më shumë se gjysmë shekulli, dhe defektet në pjesë të ndryshme të qytetit të Tetovës janë të përditshme në të gjitha periudhat e vitit, madje edhe gjatë dimrit.
“Rregullisht ka defekte kurse më shumë ndodhin kur ka rritje të sasisë së ujit në ujësjellës. Atëherë ndodhin defekte gjithandej në qytet. Kjo është sepse kemi një rrjet të instaluar në qytet të vjetër mbi 50 vjeçar. Gjatë kohës së rritjes së ujit ky sistem nuk duron prurje më të mëdha dhe shkaktohen defektet. Në këtë periudhë regjistrohen edhe 30 defekte brenda një dite dhe ne si ndërmarrje nuk kemi kapacitet që të sanojmë apo riparojmë këta defekte”, thonë nga Ndërmarrja Publike. Sipas informatave të NPK-së, rreth 1400 defekte në vit regjistrohen në rrjetin e ujësjellësit në Tetovë. Ky është bilanci i defekteve të cilët Ndërmarrja Publike Komunale Tetova-Tetovë, duhet të sanojë në Tetovë në rrjetin e qytetit dhe që i kushton shumë ndërmarrjes.
Autoritetet e komunës disa herë kanë thënë se janë duke shikuar mundësinë që gjatë periudhës kur të fillojë procesi i shpërndarjes së gazifikimit nëpër qytet të fillojë edhe të rregullohet sistemi i ujësjellësit dhe i njëjti të ndërrohet tërësisht. Sipas deklaratave të deritanishme, një nga shkaktarët përveç vjetërsisë së gypave është se sistemi aktual është projektuar për një numër të caktuar të popullsisë në kohët e mëhershme, kurse që nga vitet e 90-ta e këndej qyteti i Tetovës është shtuar dukshëm për nga numri i banorëve si pasojë e shpërnguljeve nga fshatrat e Malësisë së Sharrit për në qytet prandaj ka edhe shumë kyçje ilegale në këtë rrjet. Ndryshe, kyçje ilegale në rrjetet e ujësjellësit dhe të kanalizimit në Tetovës janë të rëndomta, kurse deri më tani asnjë padi penale nuk është inicuar. Edhe pse zakonisht këta raste ndodhin gjatë ndërtimeve të objekteve të ndryshme apo lokaleve, por edhe pallateve, por deri më tash nuk ka informacione se është inicuar ndonjë padi penale, sepse kyçjet ilegale zakonisht dëmtojnë edhe rrjetin e ujësjellësit edhe infrastrukturën rrugore. (koha.mk)