Programi është përgatitur nga Sektori për Tokë Ndërtimore dhe parasheh zgjidhjen e problemit lidhur me praninë në rritje të qenve endacake, përkatësisht për kontrollin e numrit të tyre dhe trajtimin human
Urim HASIPI
Tetovë, 29 qershor – Komuna e Tetovës për herë të parë ka hartuar program serioz për trajtimin e qenve endacak, problem ky i kamotshëm dhe i pazgjidhur për qytetarët e Tetovës. Programi parasheh trajtim të qenve endacak, ndërsa pritet që në seancën e radhës të jetë në rend dite edhe në Këshillin e Komunës së Tetovës për miratim, shkruan gazeta KOHA. Programi është përgatitur nga Sektori për Tokë Ndërtimore dhe parasheh zgjidhjen e problemit lidhur me praninë në rritje të qenve endacake, përkatësisht për kontrollin e numrit të tyre dhe trajtimin human.
“Aktivitetet për zgjidhjen humane të problemit me qentë endacakë në territorin e qytetit të Tetovës nënkuptojnë kapjen e tyre, transportin e tyre deri te stacionari, pranimin dhe kontrollin nga veterinari i autorizuar, kontrollin laboratorik të kafshëve për sëmundje të caktuara, identifikimin dhe mbajtjen e evidencës, ovariohisterektomi dhe orhiektomi, akomodim post-operativ, vaksinim dhe dehelmentacion, transportin e kafshëve deri në vend të caktuar të rregulluar me marrëveshje, eutanazi të kafshëve të sëmura dhe të rrezikshme për ambientin jetësor…”, tha për KOHA, Arsim Nuredini, udhëheqës i Sektorit për Tokë Ndërtimore.
“Në vitin 2018 parashikohet kapja dhe trajtim i rreth 20 kafshëve në muaj, përkatësisht rreth 240 në vit. Trajtimi veterinar i kafshëve do të realizohet nëpërmjet mjekut të mjekësisë veterinere. Aktivitetet do të kryhen në tre ndërrime. Në ndërrimin e parë dhe të dytë do të kryhen obligimet e zakonshme për kontrollin e brezave të qytetit, në përputhje me programin, por edhe do të intervenohet me kërkesë të qytetarëve. Ndërrimi i tretë në varësi të kushteve klimaterike, do të zhvillohet në mbrëmje dhe herët në mëngjes, gjatë kësaj parashikohet kontrolli i brezave tashmë të përpunuara dhe intervenime të serishme”, sqarojnë nga ky sektor. Për këtë qëllim janë paraparë mjete në vlerë rreth 500 mijë denarë.
Financimi i Programit kryhet me mjete të parashikuara në buxhetin e Komunës së Tetovës për vitin 2018, në shumën prej 500.000 denarëve, ndërkohë që çmimet për kapjen e qenve e endacakë, qëndrim në stacionar dhe për trajtimin veterinar të parashikuara me këtë program, do të definohen nga ofertuesi më i mirë, i zgjedhur me furnizim publik nga komuna e Tetovës. (koha.mk)